U anulua më 21 qershor, ARBK rikthen pezullimin për Klan Kosova

101
Sigal

Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka anuluar vendimin e 21 qershorit, me të cilin anulonte vendimin e pezullimit të certifikatës së biznesit për televizionin Klan Kosova.

Ky vendim i AKRB-së rikthen në fuqi pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Televizioni Klan Kosova ka reaguar duke shprehur “habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta kthejë ligjshmërinë në këtë çështje”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një njoftim në Facebook tha se e kanë pranuar me shqetësim lajmin për anulimin vendimit të mëparshëm nga AKRB-ja.

“AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Më 14 qershor, ARBK pas një kallëzimi penal që ngriti Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova, anulojë certifikatën e biznesit për Klan Kosova.

Pas këtij vendimi më 21 qershor, ARBK-ja, shfuqizoi vendimin e datës 14 qershor.

Flutura Kusarit, juriste e së drejtës së medias në Prishtinë, tha se vendimi është politik dhe si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm.

“Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova”, ka shkruar Kusari në rrjetin social Facebbok.

Kallëzimi penal ndaj ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Komisioni i Pavarur për media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor i kishte dhënë afat prej 30 ditëve televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.

AGK-ja, bën thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.