Tunizia, shtatë vjet pas Pranverës Arabe

511
Janë mbushur shtatë vjet që nga rrëzimi i regjimit shtypës në Tunizi. Dje tunizianët i kujtuan ngjarjet e 14 janarit, 2011 me një valë të re protestash. Shtatë vjet më parë trazirat në Tunizi frymëzuan gjithë Lindjen e Mesme dhe u bënë shkëndija e revoltave që morën emrin Pranvera Arabe. Por për tunizianët e thjeshtë, ndryshimet që filluan në 2011 nuk kanë sjellë përmirësim në kushtet e jetesës. Qeveria ka premtuar reforma të reja për të përmirësuar situatën:
Demonstratat në Tunizi kanë vazhduar prej një jave, pasi qeveria rriti taksat dhe çmimet e shumë artikujve dhe shërbimeve, në kuadër të masave shtrënguese për buxhetin e 2018-tës. Protestuesit thonë se gjendja ekonomike nuk është përmirësuar që nga rrëzimi i ish-presidentit Zine el-Abidin Ben Ali.
“Po vazhdojmë betejën për të arritur objektivat e këtij revolucioni, sidomos ato ekonomike e sociale. Aleanca që është aktualisht në pushtet po shkatërron popullin, po shkatërron vendin. Tunizia jonë ka nevojë për alternativa të reja ekonomike e sociale. Vendi ynë ka nevojë për një drejtim të ri politik për të përmbushur aspiratat e popullit që ka luftuar kaq shumë për dinjitetin dhe lirinë e vet,” thotë kreu i Frontit Popullor Tunizian, Hamma Hammami.
Që kur ish-presidenti Ben Ali u arratis nga vendi, Tunizia ka pasur disa qeveri por nuk është arritur përmirësim i gjendjes ekonomike. Kërcënimi terrorist është një ndër arsyet që pengon investimet e huaja dhe industrinë e turizmit. Protestuesit thonë se rritja e çmimeve e rëndon situatën:
“Çfarë ka arritur qeveria? Zgjidhja më e thjeshtë që ka gjetur është rritja e çmimeve. Por njerëzit janë pa bukë,” thotë një profesor historie.
Presidenti tunizian akuzon median e huaj se po ekzagjeron përmasat e turmave protestuese. Dje ai vizitoi disa lagje të varfra në kryeqytet dhe premtoi se qeveria do të punojë për të krijuar mundësi punësimi për rininë:
“Kemi 620 mijë të papunë. 250 mijë prej tyre kanë diploma universitare, megjithatë nuk gjejnë punë… prej një viti, dy, tre… pesë vjetësh… Prandaj, me ndihmë të Zotit, do të punojmë me fokusin tek rinia”.
Më 8 janar shpërthyen protesta në qytete të ndryshme në Tunizi, në përgjigje të rritjes së taksave dhe çmimeve. Masat shtrënguese kanë për synim të shkurtojnë deficitin buxhetor, në përputhje me kërkesat nga donatorët ndërkombëtarë. Mbi 700 vetë janë arrestuar nën akuzat se janë angazhuar në akte të dhunshme dhe vandalizëm. Një protestues mbeti i vdekur gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë.
Sigal