Trump pëson disfatën e parë dhe fajëson demokratët

501
Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar demokratët për dështimin e projektligjit të tij për kujdesin shëndetësor.

Propozimi i presidentit u tërhoq të premten, pasi nuk arriti të merrte mjaftueshëm mbështetje për të kaluar në Kongres.

Kjo lëvizje e minutës së fundit shihet si një goditje e rëndë ndaj presidentit, pasi shfuqizimi dhe zëvendësimi i programit të njohur si Obamacare, ishte një nga premtimet e tij të fushatës.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan tha se ai dhe zoti Trump kishin rënë dakort të tërhiqnin votimin, pasi u bë e qartë se projektligji nuk do të merrte minimalisht 215 votat që i nevojiteshin republikanëve për miratimin e tij.

Sidoqoftë, raportohet se rreth 35 republikanë nuk kanë qenë dakort me draftin e presidentit Trump për Aktin Amerikan të Kujdesit Shëndetësor. Projektligji gjithashtu nuk ishte popullor as në publik – ku një sondazh tregonte se vetëm 17% e të anketuarve e aprovonin draftin.

Pas kësaj disfate, Trump u shpreh se republikanët tashmë do të fokusohen në reformën e taksave, ndërkohë që ai shtoi se nga i gjithë ky proces, ata mësuan shumë rreth besnikërisë dhe marrjes së mbështetjes. Obamacare do të vijojë në rrugën e saj edhe për disa kohë, tha presidenti, derisa demokratët të civilizohen dhe të bashkohen, që të dyja partitë të krijojnë një draft të mirë për kujdesin shëndetësor.

Megjithatë, kryetari i dhomës së përfaqësuesve, Paul Ryan e quajti këtë, një ditë zhgënjyese për republikanët. Ishim një parti opozitare për 10 vite, u shpreh Ryan, ku kundërshtimi ishte diçka e lehtë për t’u bërë. Nuk ka ndarë të njëjtat qëndrime pesimiste pala demokrate, teksa përfaqësues të saj e kanë përshkruar tërheqjen e projektligjit si një ditë të mirë dhe fitore për popullin amerikan.
Sigal