Tre marinarë në një nëndetëse të Marinës Mbretërore, kapen duke marrë kokainë

515
Sigal

Tre marinarët në një nëndetëse të Marinës Mbretërore të Britanisë së Madhe, që është e pajisur me 16 raketa bërthamore, janë kapur duke marrë kokainë, raporton Daily Mail.

Marinarët e HMS Vengeance, dështuan një test të detyrueshëm të barnave (CDT) për substancën Class-A, menjëherë pasi anija 16 mijë tonëshe vizitoi një port ushtarak amerikan në Florida.

Mostrat e urinës së tyre u ekzaminuan teksa nëndetësja ishte në operacionet e saj sekrete dhe tre anëtarët e ekuipazhit u hoqën nga HMS Vengeance, kur ajo u kthye në bazën ushtarake detare Navy Base Clyde në Faslane të Skocisë.

Sipas burimeve ushtarake që citohen nga Daily Mail, tre marinarë ishin pjesë e një grupi më të madh marinarësh të HMS Vengeance, të cilët morën kokainë gjatë pushimit në Florida.

Marina Mbretërore nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë pretendim.

Burimet ushtarake thanë për median britanike se përdorimi i kokainës në mesin e anëtarëve të ekuipazhit të HMS Vengeance është një goditje e rëndë për Marinën Mbretërore, sepse anija e gjatë 150 metra mban raketa bërthamore Trident, e cila mund të vrasë miliona persona dhe ka një rreze veprimi prej 7500 milje.