Trazirat në Kazakistan/ Presidenti: Trazirat ishin tentativë puçi

178
Sigal

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, e ka përshkruar dhunën vdekjeprurëse të javës së kaluar si tentim për puç.

Ai u ka thënë të hënën liderëve të aleancës ushtarake të ish-vendeve sovjetike se aksioni është koordinuar nga një “qendër e vetme”, mirëpo nuk ka përmendur kë sheh si përgjegjës.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Kazakistani është shënjestruar nga terrorizmi individual, duke shtuar se Rusia nuk do të lejojë kurrë revolucione në rajon.

Trupat nga Rusia dhe vende tjera tashmë janë në Kazakistan për të rikthyer rregullin.

Protestat e nxitura nga rritja e çmimeve të naftës, janë shndërruar në trazirat më të këqija që ka parë ky shtet në 30 vjet të pavarësisë.

Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha më 10 janar se 7,939 janë ndaluar gjatë trazirave që nisën më 2 janar. Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se 164 persona janë vrarë, përfshirë tre fëmijë. Megjithatë, Toqaev tha se numri i saktë i personave të vrarë gjatë trazirave mbetet i paqartë, teksa hetimet për këtë çështje janë duke u zhvilluar.

Zyra e Toqaevit tha të hënën se ai ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel të cilit i ka thënë se militantët nga Azia Qendrore, Afganistani dhe Lindja e Mesme qëndrojnë prapa dhunës së fundit.

Në njoftim u tha se Toqaev i ka thënë Michelit se “nuk ka asnjë dyshim se ky ishte sulm terrorist”, i cili ishte “i organizuar mirë” dhe në të janë përfshirë “luftëtarë të huaj”.

Protestat kanë nisur më 2 janar dhe janë zgjeruar si pakënaqësi ndaj Qeverisë dhe ish-presidentit, Nursultan Nazarbayev, i cili ka udhëhequr Kazakistanin për tri dekada dhe ende besohet se ka ndikim.

Autoritetet kanë thënë se situata është stabilizuar dhe se trupat janë duke vazhduar “të pastrojnë” operacionet.

Aktualisht është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.

Rreth 8 000 persona janë ndaluar në këtë shtet, ka thënë Ministria e Brendshme të hënën.