Thaçi thërret partitë, diskutohet për datën e zgjedhjeve

485
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thirrur mëngjesin e sotëm një takim me përfaqësuesit e partive parlamentare për të diskutuar dhe vendosur datën e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.

LDK ka injoruar takimin e thirrur nga Presidenti dhe asnjë përfaqësues i saj nuk është paraqitur në Presidencë.

Ndërkaq kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të mbledhë sot kryesinë e kësaj partie.

“LDK e fuqishme dhe unike do të ofrojë perspektivën më të mirë për Kosovën. Do të mbledhim rreth vetes të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi. Vullneti i LDK-së, i gërshetuar me interesat e vendit, kapërcen çdo interes tjeter!” shkruan Mustafa në FB.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës parashikon qartë se në rast shpërndarje të Parlamentit, Presidenti thërret zgjedhjet jo më parë se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë.

Në këto kushte, duke qenë se Parlamenti u shpërnda dje datat e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve janë 11 dhe 18 qershori.

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve, partitë politike do të nisin fushatën elektorale, por ngjarjet e fundit kanë hedhur një sërë pikëpyetjesh mbi grupimet politike që mund të bashkëpunojnë në këtë proçes elektoral.
Sigal