Thaçi: Të mbyllet UNMIK, paratë për Kosovën të përdoren në Siri

566
UNMIK-u ka zero kompetenca në Kosovë, dhe për këtë zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York, do të kërkojë mbylljen e këtij misioni
Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi tha se Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi do të raportojë për sfidat që i ka përballuar me sukses gjatë kësaj periudhe, prej krijimit të Gjykatës Speciale e deri te dërgimi i kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, pastaj ndalimin e emigrantëve që ishte temë në fillim të këtij viti.
“Presim që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta njohë këtë sukses të Kosovës dhe të na ndihmojë në hapat tanë të mëtejshëm për anëtarësim në agjencitë e ndryshme të OKB-së”, ka deklaruar Selimi për Radio Kosovën.
Duke komentuar kompetencat e UNMIK-ut në Kosovë, Selimi ka theksuar se kompetencat e UNMIK-ut sot në Kosovë janë barazi me zero.
“UNMIK-u nuk ka asnjë lloj kompetencash. Siç mund të shihet, ne jetojmë në realitet dhe jo në ëndrra, e realiteti është se Këshilli i Sigurimit nuk ka pasur konsensus për pavarësinë e Kosovës për shkak të vetos së Rusisë dhe kjo është arsyeja që UNMIK-u asnjëherë nuk ka mundur të mbyllë misionin e tij sepse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, këtë nuk e ka lejuar Rusia. Por Kompetenca nuk ka. Ato kompetenca qeverisëse që i ka pasur, ato janë bartë moti tek Qeveria e Kosovës, ato për sundimin e ligjit janë bartur tek EULEX-i dhe më pas të njëjtat EULEX-i i ka bartur tek Institucionet e Kosovës”.
“Vetë EULEX-i në këtë format po transformohet dhe po mbyllet vitin e ardhshëm, kështu që UNMIK-u këtu është vetëm një hije e të kaluarës që mbetet këtu për shkak të rrethanave që zotërojnë në Këshillin Sigurimit”.
“Edhe sot zëvendëskryeministri Hashim Thaçi do të bëjë thirrje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që OKB të mos shpenzojë para të kota për UNMIK-un në Kosovë, në situatën e përmirësuar kur tashmë ka shtatë vite që Kosova është e pavarur dhe drejtohet nga institucionet e saj legjitime, por Këshilli i Sigurimit të shikojë situatën në Siri e Lindje të mesme, ku njerëzit po vdesin nga uria dhe luftërat dhe do të kërkojë që shpenzimet të cilat UNMIK-u i bën në Prishtinë me dhjetëra milionë euro për stafin e vet, është më mirë të transferohen atje ku ka nevojë shumë më shumë se sa të shpenzohen kot në Kosovë. Por në anën tjetër duhet të kemi një lloj komunikimi me OKB-në, me New Yorkun dhe linja jonë momentale e komunikimit dhe korrespondencës për këtë, është Zyra e UNMIK-ut në Kosovë, deri sa ajo të transformohet në diçka tjetër”, theksoi ai.
UNMIK-u, ka shtuar Selimi, nuk ka kompetenca as për sa i përket veriut të vendit, pra katër komunave të banuara me shumicë serbe.
“Pjesa veriore e vendit pas marrëveshjes së normalizimit në Bruksel, ngadalë-dalë po integrohet në institucionet e Republikës së Kosovës; si policia, ashtu edhe Gjykatat ashtu dhe doganat, ashtu dhe bartësit tjerë të institucioneve shtetërore. Pra, të gjitha janë duke vepruar konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kështu që UNMIK-u nuk ka kurrë farë kompetence, as kurrfarë mandati dhe as kurrfarë fuqie ekzekutive në as një centimetër të territorit në Republikën e Kosovës”, deklaroi Selimi.
Sigal