Thaçi: Marrëveshja Serbi-Kosovë arrihet brenda vitit

602
Sigal

Edhe pse klima politike për arritjen e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës duket më e pafavorshme se kurrë, Presidenti Hashim Thaçi është optimist se të dyja palët do të arrijnë të firmosin një pakt përfundimtar brenda 2019-ës.

“Një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit është e mundur brenda këtij viti pavarësisht nga pengesat e muajve të fundit në muajt e fundit” deklaroi presidenti për “The Guardian”.

Duke iu referuar zërave për ndryshimin e kufirit, Thaçi tha se “demarkacioni i kufirit” do të ishte pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për njohjen reciproke. Por kreu i Kosovës theksoi “nuk mund të ketë kufij sipas vijave etnike. “Është e pamundur. Si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbeten shtete multietnike”, deklaroi ai.

Ndërkohë që ndodhet në Bruksel për një vizitë zyrtare, presidenti ka dërguar edhe një mesazh në Prishtinë, duke paralajmëruar se mosarritja e një marrëveshjeje do të kishte pasoja për Kosovën dhe rajonin.

“Në rrethanat e tanishme, me këto tensione, nuk e kuptoj pse do të vijnë investitorët e huaj dhe të investojnë në rajonin tonë. Vetëm një marrëveshje paqeje do të sjellë prosperiteti. Ne duhet të ulemi edhe me armiqtë, por pa asnjë parakusht dhe të përpiqemi të dëgjojmë njëri tjetrin”, tha Thaçi.

Presidenti theksoi ndër të tjera se kishte investuar të gjithë kapitalin politik gjatë dy dekadave tek bisedimet Kosovë-Serbi dhe çmimi i dështimit të tyre do të ishte në dëm të mbarë rajonit.

Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës janë ndërprerë që nga nëntori, kur Kosova vuri taksën për produktet serbe. Duke iu referuar këtij vendimi, Thaçi tha se Kosova nuk ka në plan të heqë këtë tarifë, por ka shtuar se është e nevojshme që të arrihet një progres i shpejtë.
“Këmbëngulja ndërkombëtare dhe mesazhet e përziera kanë lënë hapësirë për nacionalistët dhe populistët në të dy anën e kufirit”, ka thënë ai.

Nga ana saj, gazeta britanike thekson se statusi aktual i Kosovës, që njihet nga shumica e vendeve të BE-së, por ende jo nga 5 prej tyre, ka bërë që qytetarët e saj të jenë të vetmit europianë në perëndim të Bjellorusisë që u nevojiten viza për të udhëtuar në zonën “Schengen”. “Askush tjetër në Ballkan nuk vuan nga këto kufizime, e për pasojë, një e treta e forcës punëtore në Kosovë është e papunë”, shkruan “The Guardian”.

Thaçi fajëson disa vende anëtare të BE-së për komplikimin e procesit, duke iu referuar kështu mënyrës sesi Gjermania, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, ka kundërshtuar disa aspekte të propozimeve të Thaçit për atë që ai e përshkruan si “korrigjim të kufirit”.

Plane jozyrtare kanë “pushtuar” rrjetet sociale, sipas të cilave Mitrovica do t’i bashkohet Serbisë, ndërkohë që Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare t’i bashkëngjitet Kosovës. Në praktikë, veriu i Kosovës operon me një formë sovraniteti të dyfishtë, me ndikim si nga Kosova, ashtu dhe nga Serbia.

Thaçi është në favor të këmbimit të territoreve, një ide e kundërshtuar fuqishëm nga Gjermania me frikën se do të zgjojë kërkesa “të fjetura” për kufij të tjerë gjeografikë në Ballkan, përfshi këtu pjesët e dominuara nga serbët në Bosnje, që të rishkruhen mbi vija etnike. Por, Shtetet e Bashkuara duken më shumë në favor të këtij plani.

Së fundmi, eksperti për Ballkanin pranë Këshillit të Politikave për Demokratizimin, Bodo Weber, ka treguar arsyet përse sipas tij Qeveria Gjermane nuk e mbështet idenë shkëmbimit të territoreve.

Në një opinion për DW ai ka theksuar në fillim të këtij viti se SHBA-ja ka nisur një ofensivë e madhe diplomatike për të arritur një marrëveshje bazuar në idenë e këmbimit të territoreve.
“Ideja u propagandua nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë në verën e vitit 2018. Sidomos Beogradi po kërkon një kompromis që nga fillimi i fazës finale të dialogut politik në vitin 2012 nën drejtimin e kancelares, Angela Merkel. Prapa negociatave fshihet ideja e shkëmbimit të territoreve ” thekson ai.

Ai akuzoi po ashtu Mogherini se po përpiqet ta kthejë dështimin e saj në një histori suksesi.
“Prapa këtij propozimi, fshihet një aleancë mes dy liderëve ballkanikë dhe Mohgerinit, e udhëhequr nga administrata e paparashikueshme të Trumpit, e cila ktheu përmbys dialogun politik si parimet bazë të tre dekadave stabiliteti në Ballkanit Perëndimor”, shkruan ai.