Thaçi: Kosova nuk përkrah asnjë tendencë për destabilizimin e rajonit të Maqedonisë

396
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dhuna në Kumanovë të Maqedonisë ka qenë destruktive dhe se Qeveria e Kosovës e ka dënuar atë, duke kërkuar edhe hetim ndërkombëtar.
Thaçi ka folur të martën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar raporti i rregullt tremujor i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
Thaçi ka thënë se Kosova nuk përkrah asnjë tendencë për destabilizimin e rajonit të Maqedonisë dhe se nuk është e interesuar për lëvizje të kufijve.
Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, ka pasur përleshje të armatosur midis forcave policore dhe një grupi të armatosur, në përbërje të të cilit kanë qenë disa shtetas kosovarë – nëntë prej tyre kanë humbur jetën dhe 21 janë arrestuar.
Duke iu adresuar Këshillit të Sigurimit, Thaçi është ndalur edhe te krijimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë.
Kërkesa për themelimin e saj ka pasuar hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për përfshirjen e disa ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtaretë Kosovës në krime të luftës.
Thaçi ka thënë se këto akuza janë të pabaza, porse Kosova do të angazhohet për themelimin e këtij institucioni, me qëllim “pastrimin e luftës”.
Ai është zotuar se nuk do të lejojë që Gjykata Speciale të përdoret për të “rimodeluar historinë”. Në këtë drejtim, Thaçi ka thënë se askush në Ballkan nuk do të harrojëterrorin e regjimit të Millosheviqit.
Thaçi, për migrimin e kosovarëve në vendet e Evropës, një pjesë të fajit ia ka hedhur Beogradit, duke thënë se autoritetet serbe kanë dhënë mito për ta ndihmuar këtë dukuri.
Ai ka lavdëruar marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kthimin e këtij subjekti politik në institucionet e vendit.
Thaçi ka bërë edhe një pasqyrë të të arriturave në Kosovë, ndërsa homologu i tij serb, Ivica Daçiq, i cili po ashtu i është adresuar Këshillit të Sigurimit, ka thënë se për Qeverinë e tij është çështje me prioritet krijimi i Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.
Daçiq ka thënë se Serbia është plotësisht e përkushtuar në dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ai po ashtu ka thënë se Serbia pret që Kosova të formojë sa më parë Gjykatën Speciale për Krime Lufte.
Sipas Daçiqit, procesi i pajtimit të ndërjesllë nuk mund të jetë i plotë pa ndjekjen penale të anëtarëve të ish-UÇK-së, “përgjegjës për persekutimin e serbëve”.
Në raportin e sekretarit Ban, çështjta e Gjykatës Speciale përshkruhet si “thelbësore” për të ardhmen e Kosovës, ndërsa mirëpriten veprimet e autoriteteve kosovare për ngritjen e saj.
Sigal