“Tension”në tregjet e gazit/ Gjermania nis fazën e dytë të planit emergjent, ja çfarë pritet të ndodhë

19
Sigal

Për shkak të situatës së tensionuar në tregjet e gazit, qeveria gjermane ka nisur fazën e dytë të planit të emergjencës së gazit. Ministri i Ekonomisë Habeck e përshkroi masën si “të nevojshme”.

Gjermania hyn në fazën 2 të planit të saj emergjent të gazit pasi Rusia ngadalëson furnizimin. Gjermania kërkon të reduktojë kërkesën për gaz për të shmangur mungesat afatgjata, ndërsa Rusia po ngadalëson furnizimin me gaz. Si rezultat, çmimi i gazit për konsumatorët mund të rritet edhe më shumë.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck njoftoi të enjten se vendi do të hyjë në fazën 2 të planit të tij të emergjencës me tre faza të gazit.

Avancimi në nivelin e “alarmit” vjen pasi Rusia, furnizuesi më i madh i gazit në Gjermani, kërcënon të ndalojë furnizimin me gaz në kuadër të tensioneve të lidhura me pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Çfarë do të thotë faza 2?

Në Fazën 2, kompanive të shërbimeve u lejohet teorikisht t’i përcjellin çmimet e larta tek klientët, duke ndihmuar në uljen e kërkesës për të shmangur mungesat afatgjata të furnizimit. Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë automatikisht, pasi do të kërkojë miratimin zyrtar të Agjencisë Federale të Rrjetit (Bundesnetzagentur), e cila është autoriteti rregullator për gazin dhe energjinë elektrike.

Shpallja e Fazës 2 është një parakusht për planet e qeverisë për të aktivizuar më shumë termocentrale me qymyr, që të shmanget përdorimi i gazit në prodhimin e energjisë.

Vetëm në fazën 3, në nivelin e “emergjencës”, do të lejohej Bundesnetzagentur të raciononte gazin. Familjet kanë mbrojtje të posaçme dhe do të merrnin gaz për aq kohë sa të jetë e mundur, kurse industria do të përballej me mungesa. Spitalet, objektet e kujdesit spitalor, objektet e kujdesit dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara, si dhe zjarrfikësit, policia dhe forcat e armatosura do të kishin gjithashtu status të mbrojtur.

Gjermania është në fazën 1 të planit të saj emergjent që nga fundi i marsit.

Javën e kaluar, furnizuesi rus Gazprom reduktoi furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit dhe ekspertët thonë se është vetëm çështje kohe para se furnizimi të ndërpritet plotësisht.

Çfarë tha ministri i Ekonomisë?

Habecku e quajti situatën “serioze”. Ai tha se ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia ishte “një sulm ekonomik ndaj nesh”.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin donte të mbillte pasiguri, të rriste çmimet dhe të krijonte mosmarrëveshje.

“Ne jemi në një krizë gazi,” tha ministri gjerman i Ekonomisë. “Që tani e tutje, gazi është një mall me mungesë. Çmimet janë tashmë të larta dhe duhet të presim rritje të mëtejshme,” shtoi ai.

Sipas tij, prioritet kryesor tani është mbushja e depozitave.

Po kërkohen furnizues alternativë dhe po zhvillohen burimet të rinovueshme të energjisë, shtoi ai, duke bërë thirrje gjithashtu për më shumë përpjekje për të kursyer gazin.