Tensionet në veri, ministri Sveçla: Përgjegjësit për krimet e luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë

93
Sigal

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka vendosur ‘pikat mbi i’, teksa deklaroi se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë. Në një postim në rrjetet sociale, Sveçla rikonfirmoi se Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në Graçanicë, për krime kundër popullatës civile.

Sipas tij, arrestimi ka ndodhur pas një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.

“Pjesëmarrësit në krimet makabre gjatë luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës. Ndaj personit të arrestuar sot në Graçanicë, ka patur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme  për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës. Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit. Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin. Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, shkroi ai në Facebook.