Zëdhënësi i qeverisë greke ka njoftuar një riorganizim të kufizuar të kabinetit, në vijim të zhvillimeve të fundit që lidhen me skandalin e subvencioneve bujqësore të BE-së dhe dosjet e dërguara në Parlament.Ministri i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, Kostas Tsiaras, ai i Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Giannis Kefalogiannis, si dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Dimitris Vartzopoulos, kanë dhënë dorëheqjen. Sipas burimeve, këto largime janë kërkuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Nga posti është tërhequr gjithashtu edhe sekretari i përgjithshëm i Demokracisë së Re, Kostas Skrekas.Dorëheqjet vijnë pasi Prokuroria Evropiane i përcolli Parlamentit grek një dosje të tretë lidhur me çështjen e OPEKEPE-së, institucioni përgjegjës për shpërndarjen e subvencioneve bujqësore, ku dyshohet për abuzime. Në këtë kuadër është kërkuar heqja e imunitetit për 11 deputetë aktualë të Demokracisë së Re.Në hetim janë përfshirë gjithashtu edhe 9 ligjvënës të tjerë konservatorë, përfshirë një ish-ministër dhe një ish-zëvendësministër të Bujqësisë. Për të gjithë pritet që Parlamenti të vendosë në ditët në vijim mbi heqjen e imunitetit, në mënyrë që Prokuroria Evropiane të vijojë procedurat hetimore.Çështja lidhet me përfitimin e paligjshëm të subvencioneve bujqësore gjatë vitit 2021, përmes deklarimeve të rreme, manipulimeve në sistemet elektronike dhe ndërhyrjeve për të favorizuar aplikime të caktuara.Me këtë lëvizje, kryeministri Mitsotakis synon të dërgojë një sinjal të qartë se qeveria nuk do të tolerojë asnjë rast që ngre dyshime apo krijon kosto politike, duke reaguar menjëherë ndaj situatave problematike.
Ballina Bota dhe Rajoni Skandali i subvencioneve me bujqësinë trondit Greqinë, tre ministra japin dorëheqjen





















