“ Shteti shqiptar i ka braktisur emigrantët në Greqi!”

763
Sigal

Unioni Kombëtar i Emigrantëve Shqiptarë, Dega Greqi, letër Kryeprokurorit

Emigrantët shqiptarë në Greqi përbëjnë një komunitet të madh, madje ata, edhe pse në kushtet e vështira të krizës që përjeton ekonomia greke, përbëjnë mbi 500.000. Mirëpo, emigrantët shqiptarë trajtohen edhe nga vetë shteti shqiptar, si një trup i huaj, duke i shpërfillë. Mirëpo, kur është puna për t’u kryer shërbimet administrative, shteti shqiptar shfrytëzon çdo mënyrë që t’i rëndojë emigrantët shqiptarë, duke u ngarkuar tarifa financiare mjaft të rënda, qoftë edhe për një vulë konsullore. Nga ana tjetër, çdo dokumentacion shtetëror i shtetit shqiptar, zhvlerësohet në administratat europiane, pasi këto dokumentacione të shtetit shqiptar nuk plotësojnë standardet europiane. Shembulli më i qartë është karta e identitetit, me të cilën asnjë emigrant shqiptar nuk mund të kryejë asnjë shërbim në administratat e shteteve ku jetojnë e punojnë. Një tjetër tregues i shpërfilljes të komunitetit të emigracionit shqiptar nga shteti shqiptar është edhe mosndihmesa  e qeverive shqiptare në këto 21 vjet të demokracisë, ndaj  fëmijëve të emigrantëve të mësojnë gjuhën shqipe.

Unioni Kombëtar i Emigrantëve i ka dërguar një letër Kryeprokurorit të Përgjithshëm, zotit Llalla, ku nëpërmjet kësaj letre e njeh me problemet dhe vështirësitë që kanë emigrantët shqiptarë në Greqi, lidhur me dokumentacionin zyrtar të Shqipërisë. Sipas Unionit Kombëtar të Emigrantëve, karta e identitetit është problem dhe nuk u shërben fare emigrantëve në shkëmbimet me administratën greke, për çdo shërbim të kërkuar, pasi kjo, sipas Unionit të Emigrantëve, kështu siç është hartuar dhe dhënë në përdorim nga shteti shqiptar, është e pavlefshme, derisa në Kartën e Identitetit nuk janë të shënuar as emri i nënës dhe i babait, as adresa e vendbanimit, pa të cilat, asnjë administratë në Greqi nuk e njeh dhe kërkon, paskëtaj, dokumente të tjera plotësuese, sikurse certifikata e gjendjes civile. Sipas Unionit të Emigrantëve shtetet e tjera europiane, kartat e identitetit i  ka të gjitha këto të dhëna dhe është e vlefshme për çdo shërbim që kërkojnë qytetarët me çdo administratë shtetërore, në çdo vend europian.  Në letrën e Unionit të Emigrantëve Shqiptarë, drejtuar Kryeprokurorit,  ndër të tjera, thuhet: “Të veçuar, të vuajtur dhe të papërfillshim për ne emigrantët shqiptarë, është karta e identitetit tonë, e cila nuk përmban asnjë adresë apo emër prindëror të cilat janë nevoja më emergjente për emigrantët tanë. Dhe nga kjo mangësi në kartën e identitetit, emigrantët shqiptarë detyrohen të lëvizin lartë e poshtë Greqi-Shqipëri vetëm për të marrë një certifikatë familjare apo personale sa herë që t’i kërkohet emigrantit për dokumentacionet në Greqi, pasi dhe certifikata e lëshuar njëherë në Shqipëri e ka vlerën vetëm për 6 muaj dhe pas këtij afati kohor, skadon përdorimi i mëtejshëm i saj.  Për mosplotësimin e të dhënave të plota në Kartën e Identitetit,  si gjithë vendet e tjera të Europës apo të Ballkanit emigrantet tanë, sorollaten lart e poshtë,  dhe nga vonesat e tyre  humbin edhe vendin e punës!? Shto pastaj, edhe shpenzimet që nga konsullatat greke në Shqipëri, Ministria e Jashtme dhe deri prefekturat shqiptare,  në konsullatat  shqiptare në Greqi e deri nga Ministria e Jashtme Greke!?  Emigrantët tanë paguajnë nga 120 euro për pasaportën dhe kartën e identitetit në konsullatat tona  dhe ne kemi mendimin se është tepër e rëndë dhe e pamundur ekonomikisht që emigrantët të paguajnë këtë shumë, duke shtuar që për një vulë në konsullatat tona në Greqi, emigrantët paguajnë 20 euro dhe për një vërtetim me një vule konsullore të marrin 30 euro!? Kjo- mendojmë ne – është një grabitje e madhe ndaj qytetarëve emigrantë! Krejt ndryshe ndodh në shërbimet e administratës greke, qoftë edhe në policinë greke,  kur emigrantët shqiptarë vulosin dokumentet e tyre, pagesa arrin nga 1 në 2 euro,  përveçse  Ministria e Jashtme, që  të merr për një certifikatë 20 euro!? Kjo të bën të dyshosh se dy shtetet kanë një marrëveshje të fshehtë zhvatjeje ndaj emigrantëve. I nderuar zoti K/Prokuror. Neve që kemi ngritur zërin dhe përsëri  e ngremë zërin në mbrojtje të emigrantëve tanë, kërkojmë edhe ndihmesën tuaj që të na lehtësohet barra financiare, por edhe të na ndihmoni që dokumentacionet shqiptare të identifikimit të jenë të njehsuara sipas standardeve europiane. Do të ishte në të mirën tonë, të vetë demokracisë që përpiqemi të ndërtojmë edhe në Shqipëri, që emigrantët tanë në Greqi të kenë mundësi të votojnë, këtu, në qytetet greke, ku jetojnë e punojnë. Madje, duke votuar në emigracion, vota e emigrantëve shqiptarë do të jetë më e garantuar, më e sigurt, sepse në vendet europiane manipulimi i votës është i pamundur që të bëhet. Duke përjashtuar emigrantët nga votimi, politika shqiptare i përjashton emigrantët nga aktivizimi aktiv i tyre në proceset e zhvillimit të Shqipërisë. Vendet e zhvilluara demokratike, kurrë nuk ndodh që të përjashtojnë gjymtyrët e trupit të vet, sikurse janë emigrantët. Prandaj, kërkojmë nga ju, zoti Kryeprokuror, ndihmesën tuaj në zbatimin e ligjshmërisë”.