Shtetësia italiane dhe miratimi i reformës

490
“Italia jam edhe unë” dhe “Italianët pa shtetësi” do të dalin në shesh çdo të martë për të nxitur senatorët të miratojnë reformën. “Mjaft me shtyrje, me gënjeshtra, ta çojnë menjëherë në seancë plenare”
Romë, 31 janar 2017 – Nuk ka më kohë e nuk pranohen më justifikime, reforma e shtetësisë për brezat e dytë duhet bërë tani.
Promotorët e fushatës l’Italia sono Anch’io dhe Italiani senza Cittadinanza ngrenë sërish zërin për të kërkuar miratimin e dekretligjit 2092, që mbeti sirtarëve të Komisionit për Çështjet Kushtetuese në Senat. E kanë vendosur për një mobilizim të vazhdueshëm, që do t’i shohë në shesh në Romë çdo të martë të shkurtit, deri në një manifestim në fund të muajit, për të kërkuar që pas shumë e shumë shtyrjesh, të mbahen premtimet e bëra gjatë këtyre viteve nga mazhoranca e në veçanti nga PD.
“Jemi akoma të bindur jo vetëm për arsyet e për urgjencë ne reformës, por edhe për mundësinë e miratimit të shpejtë. Pengesa nuk janë amendamentet e paraqitura nga Lega, por vullneti politik i PD-së që ka frikë mos humbasë përkrahje në prag zgjedhjesh. E megjithatë zgjedhësit e saj e pjesa më e madhe e italianëve duan që bijtë e imigrantëve të rritur në Itali të jenë italianë edhe për ligjin” tha dje paradite Filippo Miraglia, nënkryetar i ARCI-t, gjatë një konference shtypi në Senat.
Reforma lindi nga një propozim ligji popullor për të cilin 22 shoqata të fushatës “Italia jam edhe unë” mblodhën mbi 100 mijë firma, fushatë e mbështetur asokohe edhe nga PD. “Tani jemi në fund të rrugës dhe nëse nuk arrijmë ta bëjmë para fundit të kësaj legjislature, vështrë të jepet një rast i ri. Ne kërkojmë që reforma të sillët sa më shpejtë në seancë plenare, pa debat në Komision, por mazhoranca duket se nuk po i percepton më cilat janë përparësitë e vendit”.
Edhe Luigi Manconi, PD, kryetar i Komisionit për Çështjet Kushtetuese në Senat, denoncon “inercinë absurde politike” të partisë së tij. “Është një akt vetëlëndues në dëm të të gjithë shoqërisë italiane, mbajtja e emargjinuar e këtyre italianëve pa shtetësi, duke mos ndryshuar ligjin plot mospërputhje, reaksionar dhe anakronik. E megjithatë, reforma ishte në pikën e parë të programit që na solli në Parlament me Bersanin, edhe qeveria e Renzit e kishte paraqitur si prioritet”.
“Ligji aktual – denoncon Manconi – nuk mban parasysh sa ka ndryshuar Italia nga viti 1992 deri më sot, nuk mban në konsideratë integrimin plotësisht të realizuar të qindra mijëra personave që janë tashmë italianë por nuk kanë akoma të drejtat themelore që garanton shtetësai. Ky ligj nuk pasqyron realitetin e Vendit, jemi me vonesë dramatike në këtë drejtim”.
E megjithatë, për miratimin e ddl 2092, mazhoranca mund të ketë edhe mbështetjen e jashtme të një pjese të opozitës. “Kjo reformë është më pak nga ç’kërkonim, por jemi gati ta votojmë kështu siç është” thotë senatorja Loredana De Petris, kryetare e grupit të Sinistra Italiana (E majta italiane) në Senat. “Do të ishte një mesazh shumë i fuqishëm qytetarie edhe kundrejt asaj çka po bën Trump. Për mua është paradoksale që referendumi dukej i varur nga vota e italianëve jashtë Italisë, kur këtu kishte shumë italianë që nuk mund të votonin”.
“Nuk mund të pritet më Komisioni që deri më sot vetëm e ka shtyrë shqytimin e reformës. Ta sjellin drejtpërdrejt në Sallë siç kanë bërë edhe për norma të tjera. Amendamendet nuk do të arrijnë ta bllokojnë, po të ketë vullnet politik për ta miratuar” vazhdon De Petris. “Në të vërtetë PD nuk e bën sepse i trembet humbjes së mbështetjes elektorale, frikë e pabazë, dhe sepse nuk do të ketë kontraste me Legën me të cilën dëshiron të arrijë një marrëveshje mbi ligjin e ri zgjedhor”.
Të gjitha organizatat e l’Italia sono Anch’io ngrenë zërin kundër shtyrjeve të vazhdueshme dhe premtimeve të pambajtura. “Tetorin e shkuar, qoftë kryetarja e asokohe e Komisionit, Anna Finocchiaro, qoftë raportuesja e reformës Doris Lo Moro, na kishin thënë që menjëherë pas referendumit reforma do të kish rinisur rrugëtimin e saj, por nuk ndodhi kështu” nënvizon Antonio Russo, përgjegjës imigracioni për Acli-n. “Edhe ajo shtyrje ishte e panevojshme, në parlament pozitat mbi reformën janë të konsoliduara e nuk do të ndrysojnë. Ndaj, në mos tani, kur?”.
“Për ne kjo do të jetë njësia matëse për vlerësimin e koherencës së forcave politike, të kuptimit të propozimeve të tyre. Reforma e shtetësisë vë në rrezik të drejtat universale dhe barazinë, vlerat themelore, të panegociueshme “, thotë Kurosh Danesh, përgjegjës për imigracionin në CGIL. “Nuk mund të flasim për tema të tjera, pa përballuar më parë këtë hap kritik. Kjo është një vonesë e ajustifikueshme”.
“Ky proces ka filluar në vitin 2011, me mbledhjen e firmave, por që kur ligji ka hyrë në Parlament mazhoranca ka përdorur çdo justifikim për ta shtyrë”, kujton Grazia Naletto, president i Lunaria. “Tani kemi kërkuar një takim me Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Anna Finocchiaro, e cila ka akoma një rol kyç për Reformn, njësoj si kur ishte kryetare e Komisionit. Por nevojitet gjithashtu një mobilizimin i jashtëzakonshëm i të gjithë shoqërisë civile përkrah këtyre italianëve de facto por fantazma për ligjin”.
“Ne jemi të tronditur nga kjo inerci, jetët e shumë njerëzve varen nga ky ndryshim që vjen”, denoncon Ian Saali Rrjeti G2 Brezat e Dytë, që është ndër promotorët e Italia jam edhe unë. Saali ka lindur në Itali dhe ka arritur të bëhet italian vetëm 18 vjet, babai i tij për ligjin është ende në Ugandë, edhe pse ka ardhur nga Uganda qysh në vitet ’80. “Ligji aktual shtetësisë ndan familjen time dhe shumë të tjera, krijon dallimet mes njerëzve që janë të barabartë dhe që të gjithë të kontribuojnë për prosperitetin e vendit tonë. Ne duhet të shikojmë shoqërinë për atë që është, ose duhet të jetë, reforma gjithashtu shërben për të krijuar harmoni dhe për të kuptuar se në cilin drejtim ne duam të shkojmë”.
Paula Baudet Vivanco, e lëvizjes Italiani senza Cittadinanza, është rritur në Itali, sot është 40 vjeç, por ka shtetësinë italiane vetëm prej 7 vitesh. “E di çfarë do të thotë të jetosh këtu duke t’u dashur të kërkosh leje qëndrimi, të ndihesh inferiore ndaj shokëve , të rrezikosh dëbimin nëse prindërit e tu “nuk ia dalin”. Jemi fantazmat që senatorët e senatoret nuk duan të shohin, ka ardhur koha të dalin nga parlamenti e të shkojnë të shohin kush janë fëmijtë që po sakrifikojnë. Ne nuk do të lodhemi, në shesh do të na kenë. Të jenë të përgjegjshëm, të mos na gënjejnë më. Do t’u thonin gënjeshtra bijve të tyre?”.
Unë nuk kam zgjedhur të vij në Itali, mbërrita këtu nga Bregu i Fildishtë me praktikën e bashkimit familjar kur isha vetëm 9 vjeç. Sot jam 25 vjeç e nuk ndihem imigrante, jam italiane, por nuk e kam të shkruar në kartën e identitetit” thotë Fatima Edith Maiga, një tjetër Italiane pa shtetësi. “Po mbaroj universitetin e dytë, por akoma nuk e di nëse pa shtetësinë italiane do të mund të shkoj për të studiuar në vende të tjera evropiane apo të kem një bursë studimi”.
“Mikesha ime Letizia, nga Val d’Aosta me prindër kalabrezë, është në Barcelonë për një master. Atje takon shumë persona të rritur në Argjentinë apo Brazil, por që janë italianë sepse paraardhësit e tyre ishin italiane. Letizia çuditet pse ata janë italianë ndërsa unë jo, pse nuk mund të bëj atë që po bën ajo. Ku është dallimi? Ngjyra e lëkurës sime? Unë jam nga Reggio Emilia, jam evropiane, nuk jam afrikane. Nuk erdha këtu për të kërkuar punë, apo për t’u bërë pastruese, kam një diplomë universitare e dua të jem aktive në këtë shoqëri. Do të jem akoma këtu kur të jem 80 vjeç? Unë nuk e di, por nuk e di as Letizia”.
Sigal