Shqiptari vetëvaret në qeli, dyshime se ishte furnizuesi i terroristit që vrau dhjetëra në Francë

528
Sigal

Një i burgosur me origjinë shqiptare i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në qelinë e tij në burgun e Fleury-Mérogis në Francë.

Fjala është për shtetasin Aleksandër Hasalla, i arrestuar në dhjetor të vitit 2016. 36 vjeçari akuzohej se kishte furnizuar në mënyrë indirekte me armë terroristin që shkaktoi masakrën e Nicës. Masakra në fjalë ndodhi më 14 korrik, dy vite më parë, ku shtetasi me origjinë tuniziane Mohamed Lahoaiej Bouhlel vrau plot 86 persona dhe plagosi mbi 450 njerëz duke i përplasur me kamionin e tij, të cilin e futi në një rrugë pedonale.

Aleksandër Hasalla u akuzua nga autoritetet si personi që i kish prokuruar terroristit dy armë, pavarësisht se akuza nuk u provua plotësisht. Media franceze shkruan se Hasalla i kishte dhënë armët në fjalë një çifti shqiptar, ndërsa këta të fundit ia kishin shitur terroristit që shkaktoi masakrën në Nicë.