Shpërthimi i fuqishëm para një shkolle, disa të vdekur

515
Sigal

Një shpërthim i fuqishëm tronditi sot Kabulin. Akti terrorist ndodhi shumë pranë një turme prej dhjetëra vetësh që po protestonin pikërisht kundër sulmeve të talebanëve ndaj grupit minoritar të etnisë Hazara.

Dyshohet për një numër të madh viktimash.

Shpërthimi ka ndodhur përpara një shkolle të mesme në zonën qendrore të kryeqytetit afgan, sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Një foto e publikuar në aplikacionin popullor të mesazheve, WhatsApp, tregon disa trupa të shtrirë përtokë.

“Ishte një shpërthim i fuqishëm pranë shkollës së mesme Istiqlal, shumë pranë vendit ku ishin mbledhur demonstruesit”, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Një oficer policie në vendngjarje deklaroi se mundej të shihte të paktën 10-15 trupa të shtrirë në tokë, sikurse edhe copëza trupash më tej.

“Vështirë të kuptohet vetëm me shikim nëse ishte një sulm kamikaz apo një shpërthim bombe”, tha ai për “AFP”-në, me kushtin që t’i ruhej anonimati.

Qindra protestues, përfshi studentë, kishin zbritur në rrugët e Kabulit për të kërkuar dërgimin e përforcimeve me trupa ushtarake në qarqet e dominuara nga minoriteti pakicë Hazara, në provincën Ghazni, që ishte kthyer në epiqendër të sulmeve të talebanëve.