Sherri në familje / Shqiptari vret kunatën dhe plagos vëllain

197
Sigal

Një shqiptar me inicialet F.S., me prejardhje nga Ferizaj, por me vendbanim në Gjermani, ka vrarë kunatën e tij 33-vjeçare dhe ka plagosur vëllain 38-vjeçar, të shtunën në Lohne të Bielefeldit, në Gjermani. Për krimin që tronditi diasporën dhe Kosovën, ka reaguar për Gazetën Express policia e Bielefeldit.

Trupi i pajetë i 33-vjeçares pritet të vijë gjatë kësaj jave në Kosovë, ndërsa vëllai i vrasësit po qëndron në spital dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën, autori i vrasjes gjithashtu ka pësuar plagë të rënda trupore dhe menjëherë pas krimit është prangosur.

Për krimin që tronditi diasporën dhe Kosovën, policia e Bielefeldit tha në përgjigjen e tyre thuhet se historiku i ngjarjes që la të vdekur 33-vjeçaren mbetet akoma i paqartë, teksa hetimet po vijojnë.

“Historiku i aktit është aktualisht i paqartë, hetimi i komisionit të vrasjes “Theo” nën drejtimin e shefit detektiv Kollien është ende në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas policisë gjermane, gjithçka nisi të shtunën mbrëma kur ferizajasi 48-vjeçar, vizitoi banesën e ish-familjes së tij në Lohne dhe gjuajti me armë zjarri në drejtim të familjarëve të tij.

“Ai qëlloi për vdekje kunatën e tij 33-vjeçare dhe plagosi rëndë vëllain e tij 38-vjeçar, gjithashtu plagë të rënda trupore pësoi edhe dorasi”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë gjermane.

Më tej, sipas raportimeve të mediave gjermane banesa ishte e ish-gruas së autorit, ndërsa aty për vizitë kishte shkuar vëllai dhe kunata e tij, tashmë e ndjerë.

Raportohet se 48-vjeçari kishte tentuar të hyjë brenda banesës, por ishte penguar nga vëllai, për pasojë autori i vrasjes mori armën dhe shkrepi në drejtim të familjaravë të tij. Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë ishin disa fëmijë të moshës nga 13 deri në 18 vjeç.