SHBA-së po i humb durimi me Iranin

Shtetet e Bashkuara po shprehin padurim në lidhje me mungesën e vullnetit të Iranit për të bërë përparim në bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore.

Një zyrtar amerikan tha se mbase Irani mund të ketë një “Plan B” që i mundëson të mbajë kursin e njëjtë në programin e tij bërthamor.

Por, ky zyrtar që nuk deshi të identifikohet, tha gjithashtu se Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, nuk e ka caktuar një datë se kur mund të marrë fund durimi i Shteteve të Bashkuara në negociata, të cilat përfshijnë zyrtarë të BE -së dhe nënshkrues të tjerë të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) të vitit 2015.

NOA

Negociatat të cilat zhvillohen në Vjenë kanë ngecur, pjesërisht për shkak të zgjedhjeve iraniane që e sollën në pushtet presidentin e linjës së ashpër, Ebrahim Raisi.

“Tani për tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv se Irani është gati të kthehet në bisedime”, u citua zyrtari, duke shtuar se Teherani ende nuk e ka emëruar një negociator të ri për bisedime.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë se vendi i tij është i gatshëm t’i kthehet zbatimit të marrëveshjes nëse edhe Irani e bën të njëjtën gjë.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore dhe agjencitë e inteligjencës kanë akuzuar Teheranin se po përpiqet të krijojë një kapacitet prodhues të bombave bërthamore, një akuzë që zyrtarët iranianë e kanë refuzuar vazhdimisht.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i pati tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e fuqive botërore me Iranin, pasi kishte thënë se ajo i mundësonte këtij vendi që në plan afatgjatë të posedojë armë bërthamore.

Ai vendosi sanksione shkatërruese ndaj Iranit dhe si kundërpërgjigje Teherani filloi me shkelje të marrëveshjes.

Në bisedimet e Vjenës të dyja palët nuk bisedojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë mirëpo përmes negociatorëve evropianë.