SHBA krijon një agjenci të re për investime ndërkombëtare

236

Presidenti Trump ka nënshkruar një projekt-ligj që themelon një agjenci të re për investimet e huaja e cila synon të lehtësojë kreditimin privat prej 60 miliardë dollarësh të projekteve infrastrukturore në vendet në zhvillim. Disa e shohin këtë si një kthesë për një president që ka bërë fushatë për strategjinë “Amerika e para” ku propozohej shkurtimi i fondeve për ndihmë ndërkombëtare. Agjencia e re krijohet për t’iu kundërvënë ndikimit në rritje të Kinës në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Stacioni Furi-Lebu pranë Addis Abebës në Etiopi, është një ndalesë kryesore në sistemin e parë modern hekurudhor të Afrikës nën-Sahariane. Ai lidh Etiopinë me daljen në det në portet e Gjirit të Adenit dhe Detit të Kuq.

Projekti i infrastrukturës masive u ndërtua me fonde kineze.
Daniel Runde i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare është ekspert për kreditë zhvillimore.​

“Kur zyrtarë të lartë të administratës Trump shkuan në Azi dhe në pjesë të tjera të botës dhe panë se Kina po merrte pjesën tonë, ata menduan se ne duhet të bëjmë diçka”, thotë ekspertë Runde.
Dhe ata bënë.

Muajin e kaluar administrata Trump krijoi një njësi të re të ndihmës për zhvillim, Korporatën Ndërkombëtare për Zhvillim, ose IDFC, bazuar në legjislacionin dy partiak të quajtur Akti BUILD.

“Është mjaft domethënëse që Kongresi dhe administrata e kanë njohur rëndësinë e financimit për të promovuar zhvillimin e SHBA në mbarë botën”, thotë George Ingram, i Institutit Brookings, raporton VOA.

Është një kthesë e një presidenti që donte të zvogëlonte ndihmën e huaj si pjesë e një plani më të gjerë për të ndryshuar mënyrën se si Uashingtoni angazhohet me botën.

“Ne e hedhim poshtë ideologjinë e globalizmit”, u shpreh presidenti Trump në OKB në muajin shtator.

Agjencia e re do të zëvendësojë OPIC, Korporatën e Investimeve Private jashtë vendit, duke marrë autoritet më të madh dhe më shumë fonde. Presidenti Trump dhe disa republikanë kishin kërkuar më parë t’i japin fund OPIC-ut, duke mos besuar se lehtësimi i kredive për kompanitë që bëjnë biznes në vendet në zhvillim është një përdorim i mirë i burimeve qeveritare.

Por ata ballafaqohen me një trilion dollarë investime kineze në projektet e infrastrukturës në mbarë botën, që e ka forcuar gjeopolitikisht Pekinin. Por ka edhe shenja shqetësimi për marrësit e fondeve.

Ja ç’thotë eksperti Daniel Runde:
“Kina është në rrugën e saj për të qenë tregtari i financave ndërkombëtare, sepse kinezët janë duke ofruar para në kushte tepër të lehta që nuk janë transparente ose sipas rregullave.”

Pekini ka hedhur poshtë akuzat se kreditë e tij jepen për të krijuar një kurth borxhi për vendet në zhvillim.

Me vetëm 60 miliardë dollarë, analistët thonë se IDFC-ja e re nuk do të jetë e mjaftueshme për t’iu kundërvënë investimeve kineze në mbarë botën, por ndikimi i saj mund të zmadhohet duke bashkëpunuar me organizata të tjera ndërkombëtare të huadhënies.

“Francezët, britanikët, skandinavët, të gjithë kanë organizata të ngjashme dhe tani që IDFC ka autoritet të barabartë, ky ent i ri do të jetë një partner shumë më efektiv se OPIC,” thotë eksperti George Ingram.

Ndërkaq, për vendet në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine që mund të përfitojnë nga më shumë investime amerikane, agjencia e re për investime të huaja (IDFC), është një hap në drejtimin e duhur.