SHBA, alarm për bombë, evakuohet zyra e shtypit në Shtëpinë e Bardhë

451
Një alarm i rremë për bombë në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që në godinë ndodhej edhe presidenti Barak Obama, shkaktoi jo pak panik në sallën e konferencave, ku disa dhjetra gazetarë të pranishëm u detyruan të largohen për pak minuta.
I bombarduar me pyetje pasi gazetarët dhe vetë ai u rikthyen në sallë, zëdhËnësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhosh Ernest shpjegoi se policia e Uashington DC kishte marrë një telefonatë për bombë në sallën e konferEncave, ndërsa Shërbimi Sekret kontrolloi dhomën pa identifikuar ndonjë kërcënim.
Ernest konfirmoi se presidenti dhe familja e tij nuk ishin larguar nga godina, por sipas CNN, edhe kopshti qendror i Shtëpisë së Bardhë ishte evakuar si masë paraprake.
Pak orë para ngjarjes në atë që supozohet të jetë godina më e sigurtë në botë, autoritetet janë detyruar të evakuojnë sallat e disa kateve të një ndërtese në kompleksin e godinave të Senatit Amerikan, pas një tjetër alarmi për bomë të marrë përmes telefonit.
Telefonuesi pretendonte se kishte vendosur një pajisje shpërthyese në sallën ku po mbahej seanca e komisionit të Sigurisë Kombëtare, të cilën e përshkruante me detaje, duke vënë në alarm autoritetet.
Deri tani ngjarjet nuk mendohet të kenë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa po punohet për identifikimin e personave që kanë kryer telefonatat.
Sigal