Serbia dorëzon kërkesën për ekstradimin e Haradinajt

555
Sigal

Ministria e Drejtësisë
në Serbi i ka dërguar autoriteteve gjyqësore franceze kërkesën për ekstradimin
e Ramush Haradinajt. 

Lajmin e bën të ditur agjencia serbe “Tanjug”, që citon burime pranë kësaj
ministrie. 

Bashkë me kërkesën për ekstradim janë dërguar edhe dokumente shtesë të
përkthyera në frengjisht, në bazë të të cilave drejtësia franceze do të vendosë
nëse do të ekstradojë apo jo ish-komandantin e UÇK-së. 

Haradinaj u arrestua të mërkurën e kaluar në aeroportin e Basel-Mulhouse, nga
policia franceze, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet e
Beogradit në vitin 2004 dhe që prej asaj dite mbahet në gjendje burgimi. 

Serbia e kërkon atë nën dyshimin për kryerjen e krimeve në Kosovë në vitet 1998
dhe 1999, të cilat sipas mediave serbe nuk u trajtuan në proceset gjyqësore të
mbajtura në Hagë, ku Haradinaj u shpall i pafajshëm. 

Krimet në fjalë, sipas autoriteteve serbe, janë kryer ndaj popullatës civile në
zonën e Dukagjinit, që ishte nën përgjegjësinë e Haradinajt.