Rrëmbimi i bujshëm në Kosovë, dy persona të përfshirë në ngjarje pjesë e policisë

197
Sigal

Disa detaje kanë dalë në lidhje me rrëmbimin e dy personave me iniciale Z.R dhe A.A, më 17 shkurt, në fshatin Markesh të Komunës së Novobërdës. Sipas Gazeta Express, prokuroria ka njoftuar se në rrëmbim janë përfshirë gjashtë persona, ku midis tyre edhe dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe një grua me banim në Prishtinë.

Në dosjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, thuhet se 6 personat i kanë rrëmbyer duke i mbajtur në një vilë, ku dhe i kanë dhunuar dhe iu kanë marrë parat që kanë pasur me vete.

“Të dëmtuarve ua kanë marrë portofolet, ku të dëmtuarit A.A., ia kanë marrë 100€ dhe 100 Fr dhe 4.000denar të Rep. së Maqedonisë, kurse të dëmtuarit Z.R., i kanë marr denar të Rep. së Maqedonisë në kundërvlerë prej 40€. Të njëjtit gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë të mbyllur, duart e prangosura, të kërcënuar, duke i goditur me shuplaka dhe kondak të revoles në kokë. Të dëmtuarit kanë përjetuar shqetësim dhe ankth dhe bërë jetën të pa sigurt nën kërcenim të armëve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Po ashtu, mësohet se viktimat janë mbajtur peng nga data 16 deri më 17 shkurt dhe të dyshuarit iu kanë dërguar video familjarëve të tyre me qëllim të përfitimit material.

“Nga data 16.02.2021 nga ora 22:00 gjerë më date 17.02.2021 në ora 14:00, të dëmtuarit nën presion / kërcenim të armëve nga të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, prangosur me pranga të plastikës duke ua plasuar video familjareve të dëmtuarve,”-thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se të dyshuarit kanë pasur të shkuar kriminale. Saktësisht, V.K, pjesëtar i Policisë së Kosovës me banim në Gjilan, një grua me iniciale M.I, me banim në Prishtinë dhe e papunë, V.K dhe F.S me banim në Drenas kanë të shkuar kriminale. Ndërsa, B.N pjesëtar i Policisë së Kosovës, sipas Prokurorisë nuk ka të kaluar kriminale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit V.K., M.I., B.N., V.K., F.S. dhe M.Z., me datën 16 – 17 Shkurt 2021, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, i kanë marrë dhe kanë mbajt nën kërcënimin e armës të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në një vilë në komunën e Novobërdës, të cilët i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat pastaj ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “rrëmbimi” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka njoftuar Gjykata.

Të gjithë të dyshuarit janë arrestuar dhe me kërkesë të prokurorisë, Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.