Ridërgimi i Speciales në Kuvend, i papranueshëm nga opozita

454
Megjithëse amendamentet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë formimit të Gjykatës Speciale nuk u miratuan në parlamentin e Kosovës, për shkak të presionit ndërkombëtar, qeveria synon t’i ridërgojë ato për votim javën e ardhshme, me shpresën se do të arrijë të bindë disa prej deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të rishikojnë votën e tyre kundër.
Megjithatë, për përfaqësues të opozitës, ky veprim, për më tepër pa bërë ndonjë ndryshim në këto amendamente, është tërësisht i papranueshëm.
Ismail Kurteshi, Vetëvendosje: “Është krejt e paarsyeshme që të kthehet diçka në kuvend, për të cilën deputetët e kanë thënë fjalën e vet lirshëm dhe rezultatet dihen. Qeveria ka shumë prioritet tjera me të cilat duhet të merret, por nëse një gjë e tillë ndodh, është tendencë për një lloj grushtshteti mbi demokracinë”
Pal Lekaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: “Ne do të votojmë prapë kundër dhe nuk besoj që qeveria mund të bie një amendament që tani pa i proceduar, pa u mbështetur në rregullat e Kuvendit dhe në ligjet se si procedohen. Dhe mendoj që është një lojë me Kuvendin, me autoritetin dhe me autonominë e deputetëve”.
Zafir Berisha, Nisma për Kosovën: “Si grup parlamentar do të kundërshtojmë, sepse mendojmë që logjikisht nuk është në rregull që tema e cila nuk ka kaluar në këtë kuvend të sillet përsëri dhe kjo nënkupton atë që vazhdimisht është thënë nga opozita që Qeveria mendon ta dirigjojë punën e kuvendit, kur në fakt duhet të jetë e kundërta”.
Me 26 qershor deputetët e parlamentit të Kosovës, hodhën poshtë votimin për Gjykatën Speciale, pasi amendamentet nuk morën votat e mjaftueshme për të kaluar.
Sigal