Reagon Trump: FBI u përqendrua te Rusia, neglizhoi sulmuesin e Floridas

592
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sulmoi FBI-në dhe ligjvënësit që hetojnë ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, duke thënë se ata janë përqendruar së tepërmi te Rusia dhe kanë humbur shenjat që mund të kenë parandaluar të shtënat vdekjeprurëse në Florida.
Në një seri postimesh në Twitter, gjatë fundjavës, Trump tha se hetimet e Kongresit dhe “urrejtja politike” treguan se Rusia ka arritur të mbjellë “grindje, përçarje dhe kaos” në SHBA. Ai tha se paraardhësi i tij, Barack Obama, ka dështuar të bëjë mjaftueshëm për të ndaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.
Në njërin nga postimet në Twitter, Trump kritikoi FBI-në për neglizhimin e shenjave paralajmëruesr në rastin e 19-vjeçarit Nikolas Cruz, i cili është akuzuar për vrasjen e 17 personave më 14 shkurt në një shkollë në Parkland të Floridas.
FBI ka pranuar të premten se ka dështuar të hetojë një paralajmërim se Cruz posedon armë dhe dëshirën për të vrarë.
“Shumë i pikëlluar që FBI-ja i ka humbur shumë sinjale të dërguara për qitësin në shkollën në Florida. Kjo nuk është e pranueshme. FBI po shpenzon shumë kohë në përpjekje për të gjetur prova për bashkëpunimin e fshehtë midis Rusisë dhe fushatës Trump. Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë”, shkroi presidenti amerikan në Twitter.
Sigal