Reagon ashpër Haradinaj: Kosova më pak shtet se në 2008, kjo gjë të ndalet

541
Në 17 vjetorin e themelimit të AAK-së, kryetari i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj ka thënë se kjo parti është e strukturuar, serioze dhe një vlerë e pakontestueshme e skenës politike.
Fjalimi i plotë i Haradinajt:
Ajo për këto 17 vjet, ka qenë e sfiduar në format më të ashpra të luftës politike, por ka mbërritur ta ruaj identitetin e vet dhe të bëhet gjithnjë e më e fortë.
Ne i kemi dhënë detyrë vetes, që të vihemi në shërbim të popullit e të interesave të Kosovës, përtej kalkulimeve elektorale.
Për këto qëllime do të jemi të hapur ndaj secilit.
E kam thënë disa herë, se Kosova hala nuk është një projekt i përfunduar, dhe projekti i Kosovës Shtet, është rrezikuar seriozisht këto dy vjetët e fundit.
Prandaj detyrë primare e jonë është, që ta përfundojmë projektin e „Kosovës Shtet“. Nëse para disa vjetëve kemi bërë përpjekje ta ndryshojmë Kosovën, sot më shumë se sa ta ndryshojmë Kosovën, kemi nevojë ta shpëtojmë Kosovën.
Kjo nënkupton që përfundimisht t’i definojmë marrëdhëniet me Serbinë. Ato do të zhvillohen mbi bazën e reciprocitetit dhe të njohjes së ndërsjellë, ku secili do të jetë në oborrin e tij.
Nuk do të lejojmë më ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë.
Në konceptin e „Kosovës Shtet“ është edhe sfida e funksionalizimit të aparatit shtetëror në planin e brendshëm.
Kjo nënkupton, ndarja njëherë e përgjithmonë nga logjika e kapjes dhe e zhvatjes së shtetit.
Askush që ka abuzuar me shtetin, ose do të guxojë të abuzojë me ligjet e tij, nuk do të falet më.
Polici do të jetë polic, ushtari ushtar, gjyqtari-gjyqtar, por çka është më e rëndësishmja qytetari do të jetë qytetar, me fytyrë e me dinjitet. Boll i kanë rënë në qafë këtij populli.
Zhvillimi ekonomik në Republikën e Kosovës, nuk do të bëhet duke kopjuar programet ekonomike të shteteve të tjera, por duke hulumtuar mundësitë që i ka vendi dhe duke përfillur specifikat e tij.
Grantet dhe ndihma financiare për biznesmenët e vegjël, për bizneset familjare, për bujqit, për ndërmarrësit, do të jenë politikë shtetërore…
Kosovën do ta shndërrojmë në vend të përshtatshëm për investime të huaja, ku përfituesit e vetëm do të jenë qytetarët, e kurrsesi sekserët qeveritar.
Kosova ka aq pasuri, sa të shndërrohet në vendin më të zhvilluar të Rajonit dhe kjo do të ndodhë.
Arsimi në Kosovë nuk do të jetë më biznes. Politikën do ta ndajmë nga arsimi, do ta ndajmë nga shkenca. Parimi i vetëm i funksionimit të shkollave publike e private, do të jenë standardet edukative, shkencore dhe akademike, e jo preferencat politike.
Shëndetësia në këtë vend, nuk do të jetë më e sëmurë.
PACIENTIT në Kosovë, do t’ia shkurtojmë rrugën e shërimit dhe do t’ia krijojmë kushtet për tu shëruar në Kosovë e jo në Shkup, në Beograd, në Tiranë apo kudo tjetër.
AAK ka strategji e program, se si bujqit të jetojnë nga puna e tyre,
se si studentët të përfitojnë nga studimet e tyre,
se si ish luftëtarët dhe veteranët të trajtohen me dinjitet e të mos shndërrohen në raste sociale,
se si pensionistët t‘i gëzohen pensionimit të tyre, e fëmijët fëmijërisë së tyre.
Serbët e Kosovës, turqit, boshnjakët, romët, malazezët, ashkalitë, egjiptasit, goranët…dhe gjithë të tjerët që nuk i takojnë popullatës shumicë, do të jenë qytetarë të barabartë të Kosovës.
Të nderuar miq,
Kosova sot është më e korruptuar se sa kur qeverisej prej UNMIK-ut, dhe kjo duhet të ndalet.
Serbia, është më e pranishme në Kosovë sot, se sa pa 5 apo 10 vjetësh…dhe kjo duhet të ndalet
Kosova sot është i vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave, dhe kjo duhet të ndryshojë.
Është i vetmi vend pa ushtri, dhe nuk do të jetë më.
Përfundimisht, Kosova sot është më pak shtet se sa në vitin 2008- dhe kjo duhet të ndalet.
Dhe për tu ndalur gjithë kjo, duhet të ndalen këta… që e kanë qeverisur keq këtë vend, që e kanë vjedhur këtë vend, që e kanë shfrytëzuar këtë vend.
Nëse dikur ka qenë detyrë patriotike e secilit prej nesh, lufta për lirinë e Kosovës, sot detyrë patriotike e secilit prej nesh, duhet të jetë që ta ndalim këtë gjendje, që t’i ndalim këta njerëz.
Dhe sot pyetja ime e vetme për ju që jeni këtu dhe për qytetarët e Kosovës, kudo që janë, është A t’i nalim…
Sigal