Qeveria Haradinaj me 50 zëvendësministra, ja çfarë parashikon buxheti 2018

479
Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi sot se buxheti për vitin 2018 është buxhet i zhvillimit për rritje ekonomike dhe rritje të pagave. Ai ka arsyetuar edhe numrin e madh të zëvendësministrave, të cilët janë 50 të tillë në Qeverinë e tij. Haradinaj theksoi se nuk ka humbje të mjeteve të buxhetit me këtë numër të zëvendësministrave, për shkak se, sipas tij, dinamika e punës është ndryshe nga e kaluara.
“Është një proces në vazhdim, numri ka mbërri deri në 50 zëvendësministra, si dhe varësisht prej dinamikës, punës edhe temave. Ajo që po bëjmë është se p.sh. rasti i Ministrisë së Financave i ka tre zëvendësministra, por të tretë kanë detyra të deleguara, edhe mundemi me thënë që nuk është para e humbur e buxhetit të Kosovës, për shkak se dinamika është ndryshe nga e kaluara”, deklaroi kryeministri Haradinaj.
Ai ka thënë se është një lajm i mirë se ministri i Financave, Bedri Hamza për këto ditë ka përmbushur planin buxhetor për 2018, por i vjen keq që disa kategori kanë pritur gjatë për pagat e tyre, shkruan tg.
“Na vjen keq për kategori të caktuara që kanë pritur, por ne kemi gjetur kohë dhe për mua është vërtet një lajm i mirë për Qeverinë, për Kosovën, është buxheti për vitin që vjen, që është një buxhet i cili garanton stabilitetin financiar në vend. Është një buxhet, që po ashtu siguron edhe rritjen ekonomik dhe rritjen e pagave. Jemi të interesuar që në planet tona për vitin që vjen dhe vitet në perspektivë të thellojmë bashkëpunimin me institucione të ndryshme financiare, për marrjen e kredive të buta, si dhe hua, që janë të dobishme për projektet që janë më rendësi për vendin, në mënyrë që edhe klima e investimeve të jetë e mirë”, tha Haradinaj.
Sigal