Putin hedh poshtë akuzat për ndërhyrje kibernetike nga Moska

444
Sigal

Presidenti rus
Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat e fundit të Shteteve të Bashkuara se
Kremlini ka drejtuar sulmet kibernetike kundër Uashingtonit. Ai gjithashtu
shprehu mospërfillje për kërcënimet amerikane për t’u kundërpërgjigjur nëse
Rusia përpiqet të ndërhyjë në ndonjë formë në zgjedhjet e ardhshme.

Presidenti Putin i
bëri komentet dje në Indi, gjatë një konference për shtyp të transmetuar nga
televizioni, ku i cilësoi akuzat amerikane një përpjekje për të larguar
vëmendjen nga “problemet e shumta” me të cilat ndeshen Shtetet e Bashkuara.

Komentet e zotit Putin
bëhen më pak se dy ditë pasi Nënpresidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se
“po i dërgojmë një mesazh Putinit”. Ai tha për rrjetin televiziv NBC të premten
se kundërpërgjigja amerikane ndaj sulmeve kibernetike ruse “do të bëhet kur të
vendosim ne, në rrethana që do të japin rezultatin më të madh”.

“Mund të presësh çdo
gjë nga miqtë tanë amerikanë,” tha zoti Putin të dielën. Ai shtoi se dihet
gjerësisht se “organizma zyrtare në Shtetet e Bashkuara spiunojnë dhe përgjojnë
këdo”.

Këto komente pasojnë
një deklaratë të përbashkët më 7 tetor të Drejtorit të Zbulimit Kombëtar dhe
Shefit të Agjencisë për Sigurinë e Vendit ku ata e akuzojnë zyrtarisht Moskën
për ndërhyrje të paligjshme në rrjetet dhe sistemet kibernetike të organizatave
politike amerikane.

Këto akuza lidhen me
ndërhyrjen në llogaritë e brendshme të emaileve në Komitetin Kombëtar
Demokratik. Amerikanët e kanë akuzuar Moskën se ka orkestruar përmes Wikileaks
nxjerrjen e informacionit të përftuar nga ndërhyrja në llogaritë e emaileve.

Të dielën presidenti
rus tha “Dua t’i siguroj të gjithë, përfshirë miqtë dhe partnerët tanë
amerikanë: Nuk kemi në plan të ndërhyjmë në fushatën zgjedhore në Shtetet e
Bashkuara”.

Në korrik Kremlini u
akuzua nga stafi i kandidates demokrate Hillary Clinton se kishte ndërhyrë në
emailet e Komitetit Kombëtar Demokratik.

Shumë analistë
perëndimorë e kanë akuzuar më pas Moskën se preferon kandidatin republikan
Donald Trump si president i ardhshëm, duke sjellë si shembull lëvdatat e
përsëritura të zotit Trump në adresë të Presidentit Putin dhe komentet e tij
për nevojën që të ketë lidhje më të ngushta mes dy vendeve