Protestë e jashtëzakonshme, gazetat australiane “nxijnë” faqen e parë

363
Sigal

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në shtypin  e shkruar. Mediat australiane kanë protestuar në një mënyrë të pazakontë, duke nxirë faqet e para të gazetave.

Mbi 10 media australiane kanë dalë këtë të hënë me faqe të parë të censuruar, duke protestuar në këtë formë kundër kufizimeve ndaj medias.

Lidhur me protestën e të hënës, Drejtori i ABC  David Anderson është shprehur se: “Australia rrezikon të bëhet demokracia më e fshehtë në botë”.

Ndërsa të dielën qeveria australiane përsëriti se ishte e mundur që tre gazetarë mund të përballen me ndjekje penale. Kryeministri Scott Morrison tha se liria e shtypit ishte e rëndësishme për demokracinë e Australisë, por shtoi se “sundimi i ligjit” duhej të përkrahej.

Protesta e gazetave vjen pas fuqizimit të ligjeve të sigurisë kombëtare, për të cilët gazetarët, sipas mediave ndërkombëtare, thonë se kanë bllokuar raportimin, duke krijuar një “kulturë fshehtësie” në Australi. Qeveria është shprehur se mbështet lirinë e shtypit, por “askush nuk është mbi ligjin”.

Në qershor, policia sulmoi Korporatën Australiane të Transmetimeve (ABC) dhe shtëpinë e një gazetari të News Corp Australia, duke krijuar një reagim të madh.

Kontrollet policore erdhën pas publikimit të disa lajmeve që implikonin forcat speciale të Australisë me krime në Afganistan. Autoritetet shtetërore u shprehën se ishte cenuar siguria kombëtare.

Organizatat e mediave në Australi argumentojnë se ligjet e miratuara në dy dekadat e fundit rreth sigurisë, kanë kërcënuar gazetarinë investiguese.