Protesta në Itali, qytetarët kundër certifikatës së detyrueshme të vaksinimit

164
Sigal

Edhe këtë të diel Italia është përballur me protestat e qytetarëve që kundërshtojnë certifikatën e detyrueshme të vaksinimit.

Mijëra qytetarë protestuan në qendër të Milanos, kundër vendimit që hyri në fuqi të premten, që bën të detyrueshme certifikatën për punonjësit si të sektorit publik ashtu edhe të atij privat për të vazhduar punën.

Qytetarët kanë shtuar protestat dhe pas vendimit që të pavaksinuarit duhet t’i mbulojnë vetë kostot e tamponëve, që kërkohen deri në 2 herë në javë.

Protestuesit bllokuan edhe qarkullimin e automjeteve në rrugët pranë qendrës. Protesta pati edhe në Romë nga grupet sindikaliste, të cilët kërkojnë nga qeveria të ndalojë në të ardhmen të gjitha tubimet neo-fashiste, pasi javën e kaluar, mbështetësit e tyre sulmuan ndërtesën e sindikatave.

Sindikalistët janë kundër pagesës së tamponëve nga ana e punonjësve dhe aktualisht janë në negociata me qeverinë për ta ndryshuar këtë rregull.

Porti i Triestes vazhdon të mbetet pjesërisht i bllokuar për të tretën ditë radhazi nga punëtorët që refuzojnë certifikatat e gjelbra të detyrueshme.