Prof. GianniI MAZZEI/ Profesor Alfred Uçi, De Sanktisi shqiptar

577
Sigal

Redaksia italiane boton artikullin reçensionues mbi librin italisht të prof. Alfred Uçit “Nga një shekull tek tjetri”, të botuar në revistën “Lessioni Gramscianni”

 Ka shumë kohë që s’kam lexuar një esè estetike kaq të qartë mendimi, me një gjuhë të saktë dhe me përmbajtje të ngjeshur, që të bën për vete emocionalisht sikur të kishte qenë një roman! I tillë është në parashtrimin e historisë së Shqipërisë dhe të ideve të saj estetike, filozofike e sociale. Libri për të cilin po flas, quhet “Nga një shekull tek tjetri”, që ka si nëntitull “Një qind vjet nga Historia e Shqipërisë, të paraqitura nga një protagonist”, i botuar italisht nga “Shtëpia botuese Orizzonti Meridionali”, Kozenca, Italia, 2012, 214 faqe, me parathënien e On.Mario Brunettit. Qysh titulli, madhor në brendinë e tij, pa fjalë joshëse të spërdredhura, për të cilat vërtetësia e librit s’ka nevojë, të kujton stilin e De Sanktisit, Françesko (1817-1883) në “Historia e Letërsisë Italiane”(shek.19,) sepse kap thelbin e “rrëfimit letrar”. Nëntitulli nuk përveçon shikimin e atij “Protagonisti”, që artikulon shkathtësish zbukurime, vështirësi ose shpresa me një luçiditet të skajshëm dhe me aftësi të distancimit kritik të mësimit të madh të Tuciditit të Antikitetit, i cili duke qenë ithtar adhurues i ngjarjeve të luftës së Peloponezit, e njihte syrin mirëdashës të paraqitjes së tragjedisë që po ndodhte dhe ishte, njëkohësisht, i aftë të shikonte zhvillimet tragjike jo vetëm të Athinës së tij, por edhe të së ardhmes, të krizës përfundimtare të qytetërimit antik.

Libri “Nga një shekull tek tjetri” ndahet në tre pjesë; në pjesën e parë trajtohen probleme teorike të Estetikës e të letërsisë, që përcillen në trajtën e një triptiku, afresku, mozaiku me analiza sintetike për letërsinë botërore, nga Dantja te Don Kishoti, nga Prometheu te Hamleti, duke u afruar tek De Rada, Naim Frashëri e Migjeni etj. Pjesa e dytë përmban shkurt sqarimin e nyjave kryesore të Historisë së Shqipërisë, veçanërisht ngjarjet që lidhen me Pavarësinë e Shqipërisë, që u kurorëzua më 28 Nëntor 1912; kurse Pjesa e tretë përmbledh një tematikë me aspekte thelbësore e aktuale filozofike, sociale, kulturore dhe politike të vendit si dhe të përpjekjeve bashkëkohore të popullit shqiptar për të hyrë në Bashkimin Europian.

Libri në tërësi dallohet për unitetin e këtij triptikumozaiku, që përshkohet nga një fill i vetëm, nga një ndërlidhje organike e përgjithshme, ku spikat fryma koherente solide, pavarësisht nga tematika e larmishme dhe pjesët e ndryshme të hartuara nga autori në kohë të ndryshme; përmes rrëfimit të ngjarjeve të rëndësishme të një historie mijëravjeçare spikasin portrete figurash madhore si ato të Skënderbeut, Naim Frashëri, Ismail Qemalit, Fan Nolit e të tjerë heronj të përgjëruar për humanizëm, demokraci e liri. Analizat e mprehta të personazheve letrarë e historikë që përmenden në libër zbulojnë origjinalitetin dhe vlerat e tyre të begata, por edhe ndikimin e mendimit të tyre në përpjekjet e sotme të intelektualëve përparimtarë, që mendojnë e veprojnë për këto ideale.

Libri i prof. Uçit, i hartuar në gjurmët e mendimtarëve dhe mjeshtrave të filozofisë dhe letërsisë botërore, ka meritën se nuk është shkruar në stil antologjik me citate të tjerësh, por prej tij, në person të parë, që problematikën më të ndërlikuar të ideve e vlerave e trajton në një dialog intelektiv intim, si një bashkëbisedim të këndshëm rreth vatrës me zjarr, që krijon empati të mirëfilltë e shmang tonet e rënda dhe të stisura dhe ndërton teksteve me tema të përjetuara e të rrëfyera me fuqi të madhe ekspresive, me tekste jo vetëm serioze, dramatike, por edhe lirike personale të stilit të tij, që ndriçon me vërtetësi, pa eklektizëm  e oportunizëm, larg skematizmit e dogmatizmit të stilit “të monizmit”. Në tekstet e Uçit nuk ka përsëritje dhe interpretime vulgare ideologjike të njëanshme dhe sofistike, por i përmbahet parimit të vërtetësisë edhe kur trajton tema me përmbajtje të ndërlikuar sociale, filozofike, estetike dhe politike.

Në krye të analizës time kam përmendur një raport krahasues të Alfred Uçit me kritikun më të madh letrar italian, Françesko De Sanktisin, që dëshmon për afritë (convergenze) midis këtyre dy studiuesve të shquar, por edhe për dallime midis tyre. Afritë janë të veçanta dhe kanë të bëjnë si me aspekte konkrete të  jetës, ashtu edhe me orientimet e tyre teorie ideore. Të dy në rrafsh personal kanë qenë ministra të kulturës dhe të dy kanë qenë të burgosur (De Sanktisi nga regjimi i Burbonëve, kurse Alfred Uçi gjatë pushtuesve fashistë të Shqipërisë), duke qenë intelektualë militantë për lirinë e  vendeve të tyre dhe të vëmendshëm e të kujdesshëm për veprat e krijuara në kohën e tyre, jo vetëm për vlerën e nivelit të tyre artistik, por edhe me kritika e argumente bindëse ndaj atyre, që cenonin unitetin e kombit. De Sanktisi u soll me pahir e pa dëshirë dhe heshti ndaj një romani të Xhiovani Vergas, shkrimtar italian (181840-1922), ndonëse e pat lavdëruar ndërkohë natyralizmin e Zolasë; ai nuk u shpreh pozitivisht për verizmin, një trajtë realiste në letërsinë italiane, që u zhvillua më pranë dhe karakterizohej nga disa tipare më humane se sa natyralizmi francez; ky qëndrim i tij shpjegohet me faktin se në romanin e Vergas binte në sy mungesa e një kritike të haptë ndaj ndjeshmërisë të paktë të shtetit të atëhershëm italian, i cili cenonte idenë e unitetit të gjithë kombit, kur një pjesë e këtij kombi (njerëzit e varfër, por të moralshëm) shteti i angazhonte në luftëra që ishin të huaja për interesat e përgjithshme të popullit. Po ta kish pëlqyer e mburrur këtë roman, ky akt kishte për t’u dukur sikur De Sanktisi, si Ministër i Kulturës italiane, i pëlqente këto luftëra (që s’ishte e vërtetë), sepse ai punonte për forcimin e unitetit të Italisë, që ishte ideal i tij, i cili ishte arritur pjesërisht mundimshëm e pak nga pak në një kohë që, Jugu i Italisë s’përfillej e lënë në prapambetje e varfëri, ndonëse popullsia e saj, edhe ajo arbëreshe kishte dhënë kontribut të madh lëvizjen politike për unitetin e gjithë Italisë. I përmend këto fakte, sepse personalitetet shoqërore duhen vlerësuar e gjykuar sipas kushteve historike dhe është mirë të justifikohen për shumë gjëra s’i kanë në dorë të tyre, ndonëse i dëshirojnë. Kuptohet, se situate të tilla të ndërlikuara e dramatike ka pas kaluar edhe Alfred Uçi, kur ishte Ministër i Kulturës, ndonëse shumë aspekte ideologjike të sundimit të monizmit në kulturë nuk i pëlqente sinqerisht dhe ka qenë i detyruar të manovrojë, duke shfrytëzuar mundësitë sado të pakta për të zgjeruar shtigjet e hapësirat e lirisë krijuese, duke mbrojtur me guxim vepra me nivel të lartë artistik dhe me ide përparimtare dhe, njëkohësish, duke kritikuar shfaqje të skematizmit, të politizimeve e ideologjizimeve të skajshme të veprave letrare që zbatonin direktiva shtetërore e partiake të “socrealizmit”. Prof. Uçi ndeshej me presione aq të forta të monizmit saqë dha dorëheqjen nga Ninistria e Kulturës dhe vazhdoi të punojë profesionalisht me sukses në fushën e studimeve shkencore të filozofisë, sociologjisë dhe estetikës, siç kuptohet edhe nga leximi i librit të tij “Nga një shekull në tjetër”.

Midis dy personaliteteve që kanë jetuar e punuar në vende e në kohë të ndryshme, De Sanktisit e Uçit, më të rëndësishme kanë qenë afritë e karakterit teorik. De Sanktisi e përjetonte letërsinë si një aktivitet themelor, që është i aftë ta organizonte jetën, gjithë ekzistencën njerëzore duke evidentuar gjithë afreskun e madh të letërsisë italiane, një nevojë pa paragjykime, që duhet të jetë konkrete dhe thelbësore. Ai mendonte se arti nuk do të kishte një fuqi të tillë po t’i mungonte mendimi e morali, të mishëruara në ndjenja të gjalla të humanizmit total, që çimenton nevojat themelore të zhvillimit historik dhe respektimin e autonomisë së artit. Sipas tij, artisti i vërtetë karakterizohet nga ndjeshmëri e mprehtë, një inteligjencë e fuqishme, e pasur me humor, kërkesa dhe shpresa njerëzore, që ushqehen nga imagjinata  në  historinë e shoqërisë; vetëm me këto cilësi zhvillohet fantazia danteske, ku rrjedh ndriçimi e krijimtaria pjellore e jetës njerëzore.

Të tilla cilësi i vishte artit edhe Alfred Uçi, duke i përfshirë në “estetikën e tij metateorike” dhe në  “karakterin aksiologjik” të artit, por me një mendim filozofik më të saktë, më të qartë e më të thellë, duke hyrë në botën specifike në rrafsh teorik të artit, ashtu si De Sanktisi i mbështetur në idetë e Viko, Shelingut dhe Hegelit. Kjo prirje i afronte të dy kritikët drejt kuptimit të veçorive dhe përsosmërisë të arteve moderne. Shumë interesante është teoria estetike origjinale e Uçit për t’i vlerësuar dukuritë estetike dhe bukurinë si një unitet harmonik midis entropisë dhe informacionit. Ai tregon se dukuritë më të larmishme estetike të realitetit dhe të artit mund të shpjegohen shkencërisht, duke u mbështetur jo vetëm në psikologjinë e pedagogjinë, por edhe në të dhënat e shkencave moderne natyrore të fizikës moderne, semiotikës, teorisë së informacionit etj. Në këtë rrugë ai jep një përcaktim novator, origjinal të bukurisë, kur shkruan: “Bukuria është një raport objektiv, real i objekteve dhe i dukurive, i anëve të brendshme e të jashtme, i formës dhe përmbajtjes, i dukjes dhe i thelbit, i strukturës dhe i funksionit, të zhvilluar në mënyrë harmonike në shkallën më të lartë, që i bën më të përsosur  në gjininë e tyre. Bukuria është raporti harmonik midis dukurive e prirjeve entropike e antientropike, midis entropisë dhe informacionit “.  Një meritë e kapshme e trajtimit teorik të artit nga Alfred Uçi, sjell ndriçimin e nevojës së çdo arti të lidhjes midis mendimit dhe jetës, të përkthyera në figura muzikore përmes ndjesive nga sendet, nga sensibiliteti i historisë, i një gjuhe specifike që e shtyn njeriun ta zgjerojë hapësirën e zbulimeve të brendisë së jetës së vet dhe të gjithësisë. A. Uçi flet për një raport të brendshëm, që është një thirrje që vjen nga Viko, nga historia e teoria. “Pa histori, nuk ka teori”, -thotë ai, por shton se “pa teori, nuk ka as histori”.

Historizmi i artit dhe i estetikës të bën të besosh se i përket së kaluarës (dhe për këtë çështje Alfred Uçi është në sintoni me Hegelin) si dukuri “antiestetike” me deformime, me shëmtime, komike mund të pranoheshin me qytetarinë e artit, natyrisht duke i shqyrtuar me baraspeshimin e formës. Citoi, për shembull, bukurinë e “kërmës” së Baudelaire ose buallin e Rembrandit që përmes fizikalitetit shihen edhe aspektet metafizike filozofike, të afërta me idetë e panteizmit të Spinozës, siç i fikson dhe i gjen Uçi të fiksuara tek poezitë e De Radës dhe të N.Frashërit. Sipas Uçit, harmonia, përsosmëria nuk janë statike; po të ishin, nuk do të kishte jetë, por vdekje. Ka në art, si edhe në univers dhe në shoqëri, përveç bukurisë, edhe veprim të forcës së pushtetit. Këtu ka rast Alfred Uçi të çmontojë të gjitha koncepsionet e “egërsisë”, duke përfshirë edhe nazizmin, edhe monizmin, një çekuilibrim forcash, midis kaosit dhe harmonisë; artisti është ai që e ngjall dhe kthen jetën  në një mrekulli, n një akord të paqëndrueshëm, të përkohshëm, qoftë në rrezikun dhe brishtësinë, që ekzistojnë në brendësinë shpirtërore të njeriut dhe të manifestimeve të ndryshme të tij. Me anë të një manifestimi të plastikës mund të kuptohet se arti është një zonë e brishtë e muzgut; në të kryqëzohen në të njëjtën kohë drita dhe hija, nga e cila përbërje lindin edhe bukuri mahnitëse. Edhe ky konstatim i afron De Sanktisin dhe Alfred Uçin tek filozofi gjerman Shelingu.

Gjithsesi ky libër i ndihmon lexuesit arbëreshë dhe italianë për të kuptuar drejt zhvillimet në historinë e kombit shqiptar në të kaluarën e tij dhe në kohën tonë. Do të ishte mirë, që të përkthehet në italisht edhe ndonjë nga veprat kryesore estetike e filozofike të prof. A.Uçit, për të cilat ka interesim në opinionin shoqëror për zhvillimet intelektuale e kulturore të Shqipërisë.