Prof. Dr. Qemal Lame: Paqe në Gaza dhe në Lindjen e Mesme

77
Sigal

7 tetori 2023 ishte një kapitull i ri, tronditës i botës në historinë e përleshjeve të dhunshme midis palestinezëve dhe izraelitëve. Në këtë ditë nisi lufta më shkatërruese në historinë e këtyre dy popujve. Në “Black Sabbath”, luftëtarët e Hamasit vranë, torturuan dhe rrëmbyen civilët izraelitë, që po festonin paqësisht. Organizata e Hamasit, që kategorizohet si terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera kreu një sulm të pashembullt në Izrael, ku u vranë më shumë së 1200 vetë dhe u morën më shumë se 250 pengje. Ky ishte shkas për luftën e Gazës, në të cilën rreth 42,000 palestinezë janë vrarë deri më tani, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi. Rreth 100 izraelitë mbahen ende peng në Rripin e Gazës, edhe nëse shumë prej tyre janë tashmë të vdekur. Rripi i Gazës është shkatërruar, shumica e banorëve të tij janë bërë sërish refugjatë dhe tani ka rreth dy milionë njerëz të pastrehë. Më shumë se dyqind mijë izraelitë janë bërë të pastrehë dhe u është dashur të lënë shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe të djegura. Tani njerëzit po vdesin në një luftë të re në Liban. Rajoni është në një spirale përshkallëzimi.

 

Izraeli mbron sovranitetin shtetëror

Izraeli drejtohet nga një koalicion ultra i djathtë i udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu. Popullariteti i të cilit është përsëri i lartë, megjithë pasojat që ka shkaktuar lufta. Netanyahu dhe Qeveria e tij mbrojnë politikën e bashkëjetesës paqësore midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe theksojnë se kurrë nuk do të pranojnë t’u japin palestinezëve shtetin e tyre brenda teritorit të shtetit izraelit.

 

Përpjekjet për zgjidhjen mes dy shteteve

Shtetet më të fuqishme perëndimore SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe etj., kanë parashtruar projektin me dy shtete për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Izraeli të pranojë njohjen e Shtetit të Palestinës.

Është një situatë në të cilën çdo optimizëm për marrëveshje dhe paqe të afërt duket naiv. Të flasësh për zgjidhjen me dy shtete është e pamundur për shkak të refuzimit kategorik nga Izraeli. Çdo nismë politike ka dështuar dhe nuk ka shpresa për ndryshime.

Në një artikull të botuar në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, më 5 tetor 2024, bëhen të njohura përpjekiet nga dy burra që guxojnë të përkushtohen për zgjidhjen e luftës: Nasser al-Kidëa, i lindur në Gaza në 1953, është nipi i Jaser Arafatit dhe ishte një ish-ministër i jashtëm palestinez. Dhe Ehud Olmert, 78 vjeç, ish-kryetar i bashkisë së Jeruzalemit dhe më vonë kryeministër i Izraelit.

Qëllimi i tyre është të parandalojnë një luftë të madhe në rajon – dhe të ringjallin procesin e paqes që është shpallur i vdekur. “Ka vetëm një zgjidhje për konfliktin historik mes Izraelit dhe palestinezëve. Domethënë, se palestinezët do të kenë shtetin e tyre, të pavarur, të zbatueshëm dhe sovran”,- thotë Olmert, diçka që vështirë se dikush në Izrael dëshiron ta thotë më.

Parashtrohet që të ketë një “prezencë të përkohshme të sigurisë arabe” në Rripin e Gazës dhe shtete si Jordania, Egjipti dhe Arabia Saudite duhet të marrin pjesë në këtë. Për më tepër, duhet të ketë një komision ekspertësh politik që të marrë kontrollin dhe të drejtojë rindërtimin. Zgjidhja me dy shtete do të përfshinte që Gaza të jetë pjesë e një shteti palestinez dhe madje një rrugë që lidh brezin bregdetar me Bregun Perëndimor – një propozim që, sipas ideve të ultra të djathtës izraelite, është i barabartë me sakrilegj.

 

Një institucion i ri për palestinezët

Në shoqëritë e këtyre dy popujve, si në Izrael ashtu edhe në Palestinë, ka një tendencë të madhe për të kritikuar, tallur dhe shkatërruar çdo politikan që largohet nga zona e rehatisë së arritjes së një marrëveshjeje me bisedime. Në kohë lufte, ky konsensus bashkohet rreth flamurit dhe çdo devijim nga mbështetja absolute për përpjekjet e luftës barazohet me tradhti. Nëse dikush sugjeron një ndryshim rrënjësor të kursit, kjo shihet si një kapitullim që i jep fitoren palës tjetër.

Megjithatë, lidershipi politik nuk ka të bëjë me ndjekjen e opinionit publik dhe të udhëhequr nga sondazhet, por me përcaktimin e rrugës më të mirë për të ardhmen e kombit dhe paraqitjen e tij pa frikë.

Lufta në Gaza duhet të përfundojë. Të gjithë pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi duhet t’u kthehen familjeve të tyre. Izraeli duhet të lirojë numrin e rënë dakord të të burgosurve palestinezë. Izraeli duhet të tërhiqet nga Rripi i Gazës dhe palestinezët do të krijojnë një institucion të ri, legjitim dhe vetëqeverisës në Gaza, të kryesuar nga asnjë politikan nga partitë palestineze. Ky institucion është i lidhur organikisht me Autoritetin Palestinez, por mjaftueshëm i pavarur për të fituar pranimin e popullit palestinez, fqinjëve arabë dhe komunitetit ndërkombëtar.

 

Jerusalemi nën kujdestarinë e pesë shteteve

Pjesa e mëposhtme e planit përshkruan elementët që së bashku mundësojnë paqen afatgjatë dhe të qëndrueshme izraelito-palestineze. Para së gjithash, ekziston ekzistenca e dy shteteve të Izraelit dhe Palestinës, të cilët jetojnë krah për krah në bazë të kufijve të 4 qershorit 1967. Me këtë plan është arritur mirëkuptimi që 4.4 për qind e territorit të Bregut Perëndimor do t’i aneksohej Izraelit: zonat ku ndodhen blloqet kryesore të vendbanimeve izraelite, duke përfshirë zonën përreth Jeruzalemit. Në këmbim të kësaj, territoret me të njëjtën madhësi do të hiqen nga territori i Izraelit dhe do të përfshihen në Shtetin e Palestinës. Ky shkëmbim territoresh merr parasysh realitetet në terren, të cilat janë shumë të vështira për t’u kthyer.

Zemra e konfliktit rreh në Jerusalem. Për këtë qëllim, plani propozon heqjen e qytetit të vjetër të Jeruzalemit, qendrës së objekteve fetare, nga kontrolli i vetëm sovran i Izraelit dhe Palestinës. Qyteti i Vjetër i Jerusalemit do të administrohet nga një kujdestari e pesë shteteve, duke përfshirë Izraelin dhe Palestinën.

Propozimi trajton të gjitha çështjet thelbësore të një paqeje izraelito-palestineze, por nuk është një plan i plotë që trajton të gjitha detajet. Është rënë dakord për konturet mbi të cilat duhet të bazohet paqja e vërtetë. Në një të ardhme jo shumë të largët, një gjeneratë e re izraelite dhe palestineze udhëheqësit kanë për detyrë ta bëjnë këtë vizion realitet përmes negociatave.

 

Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes

7 tetori 2023 mbetet një pikë kthese për hebrenjtë, pas së cilës kërkohet të mbrohet e të respektohet sovraniteti dhe vetëmbrojtja.

7 Tetori është gjithashtu një pikë kthese edhe për shtetet perëndimore, sidomos në Gjermani, për vetë historinë e kaluar dhe të ardhmen në paqe. Ministrja e Jashtme Annelore Baerbock, -ka shkruar duke theksuar, se i vjen turp që prej atëherë hebrenjtë janë ndjerë më pak të sigurt në Gjermani dhe se sulmet antisemite janë shtuar – dhe raketat iraniane kundër shtetit të Izraelit festohen në rrugët gjermane. “Ne e kundërshtojmë këtë me fuqinë e plotë të ligjit”.

Shtetet perëndimore si dhe Shqipëria, qëndrojmë në krahun e Izraelit. Siguria e izraelitëve dhe palestinezëve është pjesë e kauzës shtetërore. Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes kundër dhunës së Hamasit, si dhe kundër terrorit me raketa të Iranit dhe Hezbollahut. Të respektohen edhe marrëveshjet ndërkombëtare për luftën e kundër terrorizmit.

Gjeopolitika që krijoi shtetin e Izraelit ka për detyrë ta mbrojë, të ndërmjetësojë midis Izraelit e Autoritetit Palestinez dhe të gjejë zgjidhjen e pranueshme nga të dyja palët me një marrëveshje që do t’i japë fund përgjithmonë konfliktit të dhunshëm midis dy popujve