Presidentja refuzon të dekretojë ambasadorët e propozuar nga Ministria e Jashtme

454
Në Zyrën e Atifete Jahjagës thonë se shumica e propozimeve janë emra politikë, çka bie në kundërshtim me Ligjin, sipas të cilit, në shërbimin diplomatik të Kosovës duhet të respektohet kuota 50 me 50; që i bie 50 për qind janë diplomatë karriere, e 50 për qind emra politikë. Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar shefa të përfaqësive diplomatike në Hungari, Japoni, Zvicër, Mal të Zi, Belgjikë, Kanada, Panama dhe në New York. Mirëpo, asnjëri nga ta nuk ka filluar punën, pasi që Presidentja Jahjaga nuk i ka dekretuar ata për shkak se janë emra politikë. Ndër të propozuarit është edhe Bujar Bukoshi, ish-zëvendëskryeministër në qeverinë e kaluar. Ai është propozuar si Ambasador “At Large”. Zyra e Presidentes, në një përgjigje për Gazetën Express, kanë thënë se shtyrja e dekretimit është bërë sepse shumica e propozimeve janë emra politikë dhe kjo është në kundërshtim me ligjin.

Sipas Ligjit, kuota duhet jetë 50/50, mes të emëruarve politikë dhe të karrierës në të gjitha misionet diplomatike. Në mënyrë që të bëhet dekretimi, Presidentja Jahjaga ka kërkuar nga MPJ të gjej një modalitet në përputhje me ligjin dhe kuotën për emërime të ambasadorëve. “Deri me tani, shumica e propozimeve të Qeverisë së Kosovës/MPJ-së, që kanë kaluar nëpër Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme janë emra politikë. Sipas ligjit, obligohemi qe t’i përmbahemi kuotës 50/50 mes te emëruarve politikë dhe te karrierës për shefa të misioneve”, thuhet në përgjigje.

Për propozimin e Bujar Bukoshit si “Ambasador at Large” (diplomat i rangut më të lartë i akredituar për të përfaqësuar vendin ndërkombëtarisht), burimet e mediave mësojnë se Jahjaga e ka shtyrë dekretimin e Bukoshit për t’i evituar keqinterpretimet, pasi ligji i ri për shërbimin diplomatik, që pritet të hyjë në fuqi brenda një kohe të shkurtër, e rregullon këtë çështje në mënyrë shumë më të qartë, pasi që tani nuk parashihet në Kushtetutë.

Këto propozime për ambasadorë të rinj, sipas zyrtarëve të MPJ-së, në një përgjigje dhënë më herët kanë thënë vonesa e dekretimit të ambasadorëve mund të vijë si pasojë e nevojës për t’u verifikuar nga ana e Presidentes. “Kjo është bërë që të ruhet kërkesa ligjore 50 me 50, pra që 50 për qind e të nominuarve të jenë nga vetë shërbimi diplomatik dhe 50 për qind të jenë të nominuar politikë. Vonesat në dekretime mund të vijnë si pasojë e nevojës për t’u verifikuar nga ana e presidentes”, ka thënë Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.

Dallimi midis emërimit politikë dhe te karrierës është te procedura e emërimit. Të emëruarit politik propozohen si ambasadorë nga Ministria e Punëve të Jashtme/Qeveria e Kosovës, më pas emrat e tyre dërgohen te Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme për intervistim, dhe propozimi bashkë me raportin – i cili nuk është obligativ për Presidenten, i përcillet Presidentes për dekretim.
Sigal