Policia boshnjake arreston katër persona të dyshuar si xhihadistë

455
Autoritetet boshnjake njoftuan sot se kishin sekuestruar armë dhe kishin arrestuar katër persona të dyshuar si xhihadistë, një prej të cilëve u arrestua në Turqi, ndërkohë që ishin nisur drejt Sirisë.
“Një prej katër të dyshuarve, Senad Kostac, 22 vjeç, i arrestuar në Turqi, ndërkohë që po përpiqej të shkonte në Siri, iu dorëzua autoriteteve boshnjake”, sipas një komunikate të prokurorisë.
Në fshatin e tij Velika Kladusa, në veriperëndim të Bosnjes, policia ndërmori një operacion, gjatë të cilit tre persona u arrestuan. “Këta tre persona, të moshës 26, 27 dhe 55 vjeç dyshohen për përpjekjet për t’iu bashkuar një njësie paraushtarake të huaj”, theksoi policia.
Gjatë këtij operacioni, policia ka sekuestruar granata, mina antinjeri, një pistoletë, plumba të kalibrave të ndryshëm dhe një flamur të Shtetit Islamik.
Sipas shtypit lokal, vëllai i një prej tre personave të arrestuar në Velika Kladusa ka humbur jetën në front në janar 2015 në Siri.
Gjatë një operacioni të zhvilluar në fund të muajit dhjetor, policia lokale arrestoi 11 islamikë të akuzuar për përgatitjen e një atentati në Sarajevë me rastin e festave të fundvitit.
Sigal