Pas 600 ditësh izolim Australia rihap kufijtë, përqafime e lot gëzimi

164
Sigal

Pas 600 ditësh izolim për të frenuar  përhapjen e Covid-19, Australia po “ri-ngrihet”, ndërsa fluturimet ndërkombëtare kanë rifilluar.

“Kjo është një ditë e mrekullueshme për Australinë” tha kryeministri Scott Morrison , i cili postoi një mesazh në Facebook duke thënë se vendi ishte tani “gati për të nisur!”

Orët e fundit, në Sidnei janë shfaqur imazhe  prekëse me njerëz që kanë parë të afërmit e tyre të ribashkohen pas gati 20 muajsh.

Më 20 mars 2020, Australia vendosi një nga masat më të rrepta të mbylljes së kufijve për të mbrojtur qytetarët e saj nga pandemia e koronavirusit.

Dhjetëra mijëra australianë që jetonin  jashtë vendit  nuk mund të ktheheshin në shtëpi për 19 muaj, sipas gazetës britanike “Guardian”.

Tani, dy qytetet më të mëdha të vendit, Sidnei dhe Melburni , kanë vendosur të braktisin këto masa, pasi australianët plotësisht të vaksinuar mund të udhëtojnë pa qenë nevoja të qëndrojnë në karantinë (14 ditë).

Kufizimet e ashpra për 18 muaj ua kanë pamundësuar australianëve që të marrin pjesë në organizime të ndryshme, përfshirë dasma dhe funerale, si dhe u është pamundësuar takimet me familjarë dhe shokë.

Ndonëse përhapja e variantit “Delta” të koronavirusit ka mbajtur nën izolim Sidnejn dhe Melburnin për disa muaj. Deri më 31 tetor, autoritetet australiane kanë regjistruar 170,500 persona të infektuar dhe 1,743 viktima.