Kongresmenia 33-vjeçare e Trump kërkon të futet me armë në…

241
Sigal

Një grua e zgjedhur së fundmi për të përfaqësuar komunitetin e saj në Kongresin amerikan, ka bërë kërkesë te policia për t’u futur brenda godinës me armë. Lauren Boebert, 33 vjeç, përfaqësuese e Partisë Republikane për një prej distrikteve të Kolorados, arriti të siguronte votat në 3 nëntor, duke folur pro armëve dhe të drejtës së amerikanëve për t’i mbajtur ato. Madje, në qershor, ajo mundi në garën brenda partisë veteranin e pesë mandateve në Kongres, Scott Tipton, duke e kritikuar pse nuk e kishte mbështetur aq shumë sa duhej Presidentin Donald Trump.

Lajmi konfirmohet për Associated Press nga dy zyrtarë të Kongresit, njëri republikan dhe tjetri demokrat, të cilët nuk pranuan të zbulojnë identitetin e tyre. Zëdhënësja e Boebert pranoi që ajo e kishte bërë këtë kërkesë, por nuk pranoi që vetë Boebert të bënte një deklaratë lidhur me këtë çështje. Presidenti Trump mbështeti kandidaturën e saj duke e quajtur një “luftarake” e cila “nuk do të përkulet kurrë para establishmentit të Kongresit”.

Por edhe nëse kërkesa pranohet, Boebert nuk do të jetë anëtarja e parë dhe e vetme e Kongresit që mban armë. Sipas raportimeve ka disa prej tyre, edhe pse në vitin 2018, Policia e Kapitolit, e cila siguron zbatimin e ligjit në ambientet e Kongresit, nuk pranoi të publikonte numrin e kongresmenëve që mbanin armë.

Sipas autoriteteve, rregullorja kërkon që arma të ruhet në një vend të sigurt, por gjithsesi kjo mbetet në përgjegjësinë e anëtarit të kongresit. Në vitin 1967, u miratua gjithashtu një rregullore sipas të cilës, asnjë ligj federal, apo i Distriktit të Kolumbias, ku ndodhet godina e Kongresit, nuk mund të pengojë anëtarët që të mbajnë armët e tyre, edhe pse specifikohet se duhet të jenë “jo të mbushura” dhe “të siguruara”.