Parlamenti grek voton sot marrëveshjen e Prespës. Priten protesta

574
Sigal

Drejt sheshit qendror të Athinës, Sindagma, po mblidhen qytetarët nga orët e para të mëngjesit, pavarësisht motit tepër të keq, me fenomenin Fivos të shkaktojë erëra të forta e shira të rrëmbyeshëm në kryeqytetin grek e gjithë vendin. Në orën lokale 12.00 fillon protesta kundër marrëveshjes së Prespës. Diskutimet parlamentare kanë nisur që në orën 09.00 për të përfunduar në orën 14.30 kur dhe do zhvillohet procesi i votimit. Nga diskutimet nuk kanë munguar episodet, dy deputetët e Potami, Stavros Theodhorakis dhe  Grigoris Psarianos kanë shtyrë njëri-tjetrin pas fjalimit të Theodhorakis në parlament, gjakrat janë ndezur por me ndërhyrjen e të pranishmëve, janë shmangur episodet.

Votimi

Votimi do kryhet me emër për 300 anëtarët e parlamentit grek, që do thirren të votojnë “Po” apo “Jo”. Deri tani llogariten 145 vota të deputetëve të SYRIZA dhe 9 deputetë nga spektre të tjera të jenë PRO –Katerina Papakosta, Elena Kundura, Vasilis Kokalis, Thanasis Papahristopulos, Spiros Dhanelis, Stavros Theodhorakis, Jorgos Mavrotas, Spiros Likudhis dhe Thanasis Theoharopulos. Kundër janë 147 deputetët e Demokracia e Re, KINAL (Lëvizja për Ndryshim) Agimi i Artë, KKE (partia komuniste) ANEL (grekët e pavarur) Enosi Kentron (Bashkësia e Qendrës) dhe deputetë të pavarur.

KAMENOS

Panos Kamenos, ish ministër i Mbrojtjes i ka bërë thirrje Kiriakos Micotakis të bllokojnë votimin e marrëveshjes në parlament duke dhënë dorëheqjen të dy njëkohësisht si dhe të 100 deputetët shoqërues, çfarë do të shkaktonte zgjedhje përsëritëse të detyruara. “Provoni se nuk do të qetësoheni me votën e maktheve. Jep tani dorëheqjen” bën thirrje në twitter sot në mëngjes Kamenos, lider i ANEL. Ndërsa gjatë fjalës, pak më parë në parlamentin grek, ka ngritur akuza të rënda për subvencionim e fonde të min të Jashtme nga fondacioni Soros dhe për ndërhyrjen e eksponentëve të jashtëm në realizimin e marrëveshjes dhe politikën greke.

DJE, Protesta

Protesta e djeshme ka rezultuar në 133 të shoqëruar dhe 10 arrestime nga policia greke, pas episodeve që kanë shkaktuar përsëri, të cilat janë shuar me përdorimin e gazit lotësjellës dhe lëndëve kimike. Një polic është plagosur nga sulmi me gurrë, ardhur nga grupe të caktuara vendosur mes protestuesve paqësorë. Të arrestuarit, sipas policisë janë nga grupet ekstremiste të djathta, ndërsa 4 prej tyre u arrestuan për episodet jashtë parlamentit grek. Madje, 85 persona u shoqëruan në polici para se të fillonte protesta në Sindagma. Protesta e të enjtes nuk kishte tribunë e fjalime, por vetëm këngë e thirrje patriotike nga megafonat e vendosura kudo në sheshin Sindagma. Pjesëmarrja ishte e gjerë, pavarësisht shirave të shumta të shkaktuara nga fenomeni “Fivos” që sulmon Greqinë nga dje në mbrëmje.

foto galeri Selanik

Protesta, tension, episode edhe në Greqinë Veriore. Në Katerini, Drama, Selanik, Seres protestuesit kanë sulmuar deputetët Beti Skufa dhe Kristo Karajanidhi, si dhe shtëpitë e tyre. Konkretisht, në Seres rreth 1000 protestues kanë bllokuar shtëpinë e deputetes së SIRIZA Beti Skufa, forcat policore MAT (forcat speciale) kanë përdorur gaz lotësjellës dhe bomba shpërthyese me lëndë kimike për largimin e tyre. U plagosën 3 policë, u arrestuan 6 persona.

Protestë edhe në Drama në shtëpinë e deputetit të Siriza, Hristos Karajanidhis.

NË Selanik një numër i madh protestuesish sulmuan policët me objekte të ndryshme dhe gurrë ndërsa rrëzuan një numër të madh koshash të mbeturinave të vendosur nërrugën Tsimiski.

Në Seres mbi 2000 persona protestuan jashtë zyrave qendrore të SIRIZA.

foto galeri

Seanca parlamentare

Debat i ashpër në parlamentin grek të enjten deri orët e vona të natës, me fjalimet e kryetarëve të partive, të opozitës si dhe të kryeministrit grek Aleksis Cipras, i cili e konsideron ditë historike të premten, 25 janar për vendin.

Cipras

Kryeministri grek ka mbyllur seancën parlamentare të të enjtes me një fjalim pompoz, ku është referuar në një “ditë historike” për Greqinë, kur më në fund “merr pas sa i takojnë, historinë, traditën, trashëgiminë e Maqedonisë së Lashtë Greke” ndërsa Maqedonia Veriore bëhet aleate, mike dhe mbështetëse e Greqisë në bashkëpunimin për paqe e siguri në rajon. “Le të mbetet kjo ditë në histori si pikënisja e një epoke të re për Ballkanin që tashmë skalit një monopat të ri.

Samaras Demokracia e Re

Në diskutimin e marrëveshjes për evidentimin e dëmit të madh që shkakton në të ardhmen e vendit si dhe pasojat madhore në destabilizimin e rajonit, kanë ndërhyrë ish kryeministri i Demokracia e Re Kostas Karamanlis, si dhe ish-kryeministri i Demokracia e Re, Andonis Samaras. Konkretisht, Samaras, karriera politike e të cilit lidhet ngushtë me çështjen e Maqedonisë, si ish ministër i Jashtëm i Greqisë deri në Prill 1992, kur u largua nga kryeministri K. Micotakis, i cili pranoi emrin e përkohshëm për vendin fqinj “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë” ka theksuar se Maqedonia është një e vetme dhe është greke, kjo është një e vërtet e madhe historike, ku fshihet problemi më i madh politik sot. si dhe ka bërë një analizë historike dhe gjeopolitike të çështjes si dhe paraqiti rreziqet e mundshme në të ardhmen e afërt në gjithë rajonin e Ballkanit jugperëndimor.  Për shqiptarët e Maqedonisë, Samaras ka thënë: “Shqiptarët e Shkupit kërkojnë njohje të identitetit të tyre. Pak më në veri pezullojnë kufirin me Kosovën. Imagjinoni çfarë do bëhet në jug, në kufijtë me Shqipërinë? Ekzistojnë dhe sllavofonët që kanë sytë drejtuar nga Bullgaria. Të gjitha këto mbartin shpërthime, Shkupi është një vend ndëretnik e si i tillë  duhet të ketë emër asnjëanës, si Belgjika apo Zvicra. Shkupi zgjedh emrin Maqedoni të mbulojë shqiptarët dhe grupet e tjera etnike, veçanërisht Shqiptarët, me të cilit mendojnë se nuk i lidh asgjë.

Me parulla për Maqedoninë kanë lyer muret e jashtme të shtëpisë së ambasadorit të SHBA-së në Greqi, Geoffrey Pyatt, afër selisë diplomatike në Athinë. Policia ka shoqëruar 30 persona për çështjen. SHBA është pro marrëveshjes së Prespës çfarë ka vënë në shënjestër të grupeve kundërshtare edhe ambasadorin.

foto galeri foto galeri

 

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri