Papa Françesku vizitë historike në Irak, takohet me klerikun mysliman Shia

181
Sigal

Papa Françesku ka zhvilluar takimin historik me klerikun mysliman Shia, Ajatollah Grand Ali al-Sistani, në qytetin e shenjtë të Irakut, Najaf.

Takimi i Papës me 90-vjeçarin Sistani, i cili rrallë del në publik, përfaqësoi një nga samitet më domethënëse midis një pape dhe një figure kryesore myslimane, në vitet e fundit.

Papa ka arritur dje në Irak, ku u prit nga kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi. Ai u takua me klerikë dhe zyrtarë të tjerë në një kishë në Bagdad, që ishte vendi i një masakre në 2010.

Turi i Papës në Irak do të jetë katër ditor, ku do të zhvillojë takime në gjashtë qytete të vendit.

Pas takimit me klerikun mysliman në Najaf, ai do të niset për në Nasiriya, ku do të mbajë një takim ndërfetar në Ur, që konsiderohet vendlindja e Abrahamit.

Kujtojmë se kjo është vizita e parë e Papës që pas shpërthimit të pandemisë. Ai u shpreh se kjo vizitë ishte e domosdoshme dhe ka si qëllim të nxisë dialogun ndërfetar.

Iraku ka vendosur një shtetrrethim të plotë për shkak të vizitës së Papës, për të minimizuar rreziqet e shëndetit dhe sigurisë.