Papa Françesku anulon takimin e tij me Patriarkun e Rusisë: Kirill mbështet Putinin

146
Sigal

Papa Françesku ka thënë se ka hequr dorë nga planet për t’u takuar në qershor me Patriarkun Ortodoks Rus Kirill, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin , i cili ka mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë. Dailymail shkruan se Papa Françesku, i cili ka kritikuar disa herë në mënyrë implicite Rusinë dhe Putinin për luftën, i tha gazetës argjentinase La Nacion në një intervistë se i vinte keq që plani duhej ‘pezulluar’ sepse diplomatët e Vatikanit këshilluan se një takim i tillë mund të sjellë shumë konfuzion në këtë moment.

Në Moskë, agjencia e lajmeve RIA citoi Mitropolitin Hilarion, një zyrtar i lartë i Kishës Ortodokse Ruse, të thoshte se takimi u shty për shkak se ‘ngjarjet e dy muajve të fundit’ do të kishin krijuar shumë vështirësi në përgatitjen e tij. Reuters raportoi më 11 prill se Vatikani po konsideronte të zgjaste udhëtimin e Papës në Liban më 12-13 qershor me një ditë, në mënyrë që ai të mund të takohej me Kirillin më 14 qershor në Jerusalem.

Papa Françesku, i cili ka pasur probleme me ecjen për shkak të dhimbjes së këmbës dhe gjurit, pezulloi aktivitetet të premten për kontrolle mjekësore, tha Vatikani. Kontrollet po bëheshin në objektet mjekësore të Vatikanit, tha zëdhënësi Matteo Bruni, duke shpjeguar pse nuk kishte aktivitete apo audienca të listuara në kalendarin publik të Françeskut për atë ditë.

Papa 85-vjeçar vuan nga dhimbjet e nervit shiatik në këmbën e djathtë dhe së fundmi ka pasur dhimbje në gjurin e djathtë, duke bërë që ai të çalë më shumë dhe të ulet gjatë disa aktiviteteve. Ai lexoi pjesën më të madhe të fjalimit të tij të së dielës së Pashkëve nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit i ulur. Një ditë më parë, ai mori pjesë, por nuk kryesoi në një shërbim vigjilence të Pashkëve, duke qëndruar ulur gjatë pjesës më të madhe të tij.

Kirill, ka dhënë bekimin e tij të plotë për pushtimin rus të Ukrainës që kur filloi më 24 shkurt, një pozicion që ka copëtuar Kishën Ortodokse në mbarë botën dhe ka shkaktuar një rebelim të brendshëm që teologët dhe akademikët thonë se është i paprecedentë. Françesku, ka përdorur terma të tillë si agresioni i pajustifikuar dhe pushtimi në komentet e tij publike për luftën dhe është ankuar për mizoritë kundër civilëve.

I pyetur në intervistë pse ai kurrë nuk e ka përmendur Rusinë apo Putinin në mënyrë specifike, Françesku u citua të ketë thënë: Një papë nuk emëron kurrë një kryetar shteti, aq më pak një vend që është superior ndaj kreut të shtetit të tij.