Pakistan: Gjykata shkarkon kryeministrin nën akuzat për korrupsion

432
Gjykata e Lartë e Pakistanit urdhëroi ditën e djeshme largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit të Pakistanit Nawaz Sharif. Nawaz Sharif u shpall fajtor nën akuzën për grumbullim dhe fshehje të pasurive jashtë vendit dhe se mënyra e tij e jetesës i kalonte mundësitë e tij ekonomike. Menjëherë pas vendimit zëdhënësi i kryeministrit tha se Nawaz Sharifi e pranon vendimin “pavarësisht rezervave të tij të mëdha” dhe se largohet nga detyra. Akuzat kundër familjes së kryeministrit Sharif burojnë nga dokumentet financiare të zbuluara, të njohura si “Panama Papers”, sipas të cilave fëmijët e kryeministrit kanë llogari bankare dhe prona luksoze jashtë shtetit, në vendet e njohura si parajsa fiskale. Gjykata urdhëroi zyrtarët e anti-korrupsionit të përfundojnë sa më shpejt hetimet që po kryhen ndaj fëmijëve të kryeministrit Sharif, dhëndrit, dhe ministrit të Financave Ishaq Dar. Në vendimin e gjykatës vihej në dukje “se kryeministri Sharif nuk kishte deklaruar pasuritë e tij jashtë vendit” në letrat e tij të kandidimit të paraqitura për zgjedhjet e vitit 2013 dhe se kishte “dhënë deklarata të rreme”. Në vendim thuhet se bazuar në këto, Nawaz Sharifi nuk është i sinqertë dhe për këtë arsye nuk kualifikohet për të qenë anëtar i parlamentit. Sipas ligjeve të vendit kabineti i kryeministrit Sharif shpërndahet dhe presidenti do t’i kërkojë Asamblesë Kombëtare (dhoma e ulët e parlamentit), të zgjedhë një kryeministër të ri. Pas vendimit ministrja e informacionit Marriyum Aurangzeb u tha gazetarëve se partia e saj “nuk është e habitur, por e pikëlluar” me vendimin. “Historia ka qenë dëshmitare se sa herë që Nawaz Sharifi është hequr padrejtësisht, populli i Pakistanit e ka sjellë atë sërish në parlament me një shumicë edhe më të madhe” tha ajo. Një anëtar i Gjykatës së Lartë do të mbikëqyrë zbatimin e vendimit të marrë të premten. Vendimi i së premtes nxiti festime mbarëkombëtare të udhëhequra nga partia opozitare “Tehreek-e-Insaf” e ish yllit të kriketit tashmë politikan, Imran Khan. Partia e tij udhëhoqi betejën ligjore kundër kryeministrit Sharif dhe familjes së tij në Gjykatën e Lartë. “Kjo është një fitore për drejtësinë dhe për demokracinë kushtetuese. Nga sot e tutje do të sundojë kushtetuta e Pakistanit dhe jo ndonjë familje”, tha Asad Umar”, një ligjvënës i partisë së Imran Khanit, menjëherë pas vendimit.
Sigal