Pak orë nga zbatimi i targave/ Ç’po ndodh tani në veri të Kosovës

104
Sigal

Mesnatën e sotme hyn në fuqi vendimi i qeverisë së Kosovës për të zbatuar gjobat për automjetet që kanë targa serbe. Dështimi i takimit Kurti – Vuçiç në Bruksel ka kthyer sytë nga ajo që po ndodh në veri të Mitrovicës. Gazetarët e Kosovës që raportojnë nga ura e Ibrit thonë se për momentin gjithçka duket e qetë.

Ajo që bie në sy është një lëvizje e paktë e qytetarëve në rrugë. Në komunat në veri nuk ka patrullim të shtuar të Policisë së Kosovës. Në terren shihen makina të policisë që po këqyrin situatën. Të njëjtat burime thanë se serbët po përgatiten për një protestë të martën.

Në një deklaratë të lëshuar më herët, policia e Kosovës u shpreh se të martën nis zbatimi i gjobave për targat e paligjshme.

“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit. Pas kësaj date, nga 22 nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të fillojë zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, – ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai tha se Policia e Kosovës po ndjek në vazhdimësi zhvillimet e fundit, Në bazë të tyre do të marrë masat e nevojshme.