Ortaku i Pablo Escobarit ekstradohet në Gjermani

288
Sigal

Një prej bashkëthemeluesve të Kartelit famëkeq të Medelinit, bashkë me Pablo Escobar, është ekstraduar në Gjermani pasi kaloi 30 vite në burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Carlos Lehder Rivas, i cili ishte ndër të parët që trafikoi kokainë nga Kolumbia drejt Shteteve të Bashkuara në vitet 1970-1980, mbërriti në Frankfurt të martën dhe iu dorëzua autoriteteve gjermane, raporton “Der Spiegel”.

70-vjeçari, i cili ka nënshtetësi kolumbiane dhe gjermane, ishte dënuar nga një Gjykatë amerikane me 134 vite burg në vitin 1987, por më vonë bashkëpunoi me autoritetet dhe kaloi në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Dhe duke qenë se është dënuar një herë në SHBA, nuk do të gjykohet më për të njëjtat krime në Gjermani.

I lindur në Armenia të Kolumbisë, nga një baba gjerman dhe një nënë kolumbiane në vitin 1949, Lehder kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në shtetin amerikano-jugor, para se të shkonte në Nju Jork në moshën 15-vjeçare kur prindërit e tij u ndanë.

Sipas asaj që është raportuar në mediat kolumbiane, në SHBA ai u përfshi në botën e krimit, i dënuar për herë të parë në vitin 1973 për vjedhje makine. Në burg ai lidhi miqësi me trafikantin e drogës George Jung, të dy nisën rrjetin e trafikut të kokainës në SHBA.

Pasi u arratis për në Kolumbi kur DEA e shpalli në kërkim, Lehder u bë pjesë e Kartelit të Medelinit dhe operacioneve të Pablo Escobar. Në vitin 1987 bosi i drogës e spiunoi tek autoritetet kolumbiane dhe ai u arrestua, për t’u ekstraduar më pas në SHBA.

Raportohet se Lehder është sëmurë dhe udhëtimi i tij në Gjermani mendohet të jetë i fundit në jetën e tij.