O’Connell: Kosova ta mbajë betimin, ushtria bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese

495
“Kosova është betuar edhe para NATO-s se, transformimin e FSK-së në ushtri do ta bëjë me ndryshimet kushtetuese. Prandaj, duhet ta mbajë këtë betim në mënyrë që të ruhet partneriteti me faktorin ndërkombëtar”.
Kështu ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, duke shtuar se siguria e Kosovës varet nga partneriteti me NATO-n.

Ai thekson se është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme që marrëveshjet e Kosovës me NATO-n që transformimi i FSK-së të bëhet në bazë të ndryshimeve kushtetuese të respektohen.

“Është shumë e rëndësishme për Kosovën që nëse ajo jep betimin për diçka ta respektojë atë. Ne kemi qenë gjithmonë pranë Kosovës për krijimin e strukturave të sigurisë qoftë FSK-së, ose një ushtrie në të ardhmen. Ne për FSK-në kemi dhënë një kontribut të vazhdueshëm që nga viti 2008 dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Mendoj që do të kemi edhe lajme të mira në ditët në vazhdim. Por mendoj që është shumë e rëndësishme që premtimet që dha Kosova të respektohen dhe më vjen mirë që po duket që do të respektohen tash”, ka thënë ai.

I pari i Britanisë së Madhe në Kosovë, ka vlerësuar lart punën e FSK-së, duke thënë se ajo e ka plotësuar dhe zbatuar në plotëni mandatin dhe se është bërë shembull për çdo kosovar.

“Duke parë FSK-në unë jam shumë krenar për atë që kanë arritur deri tash. Ata kanë plotësuar dhe zbatuar mandatin, por gjithashtu ata janë bërë shembull për çdo kosovar që çfarë mund të arrihet me punën e palodhshme dhe vendosmërinë. Jemi shumë krenar për oficerët e FSK-së që janë shkolluar në akademitë britanike. NATO-ja është pranë Kosovës dhe do të mbetët e betuar për sigurinë e saj, andaj është shumë e rëndësishme që të ruhet dhe promovohet ky partneritet”, ka thënë.

Ai ka folur edhe për përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vlerësuar se në këtë aspekt është punuar pak.

Ndërsa shtoi se Kushtetuta, e cila mbushi 9 vjet nga miratimi i saj, vazhdon të shkelet dhe të mos respektohet.

“Nuk mund të them se në Kosovë nuk është marr asnjë hap kundër krimit dhe korrupsionit. Por mendoj që është shumë e rëndësishme çdo nen dhe çdo pikë e kushtetutës të respektohet plotësisht dhe fatkeqësisht kemi parë edhe në sistemin e drejtësisë shkelje të ligjeve, shkelje të kushtetutës. Qytetarët që të përdorin zërin dhe revoltën e tyre që të kërkojnë më shumë sepse Kosova është e qytetarëve të saj”, përfundon ai.
Sigal