Nuk mund të hyni në Kosovë pa pasur tre doza të vaksinës, ashpërsohen masat, ndalohet lëvizja pas orës 22:00 të mbrëmjes

74
Sigal

Radhë të gjata të qytetarëve janë duke u krijuar para Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për testim.

Në 24 orët e fundit 2943 qytetarë rezultuan pozitiv si të infektuar me virusin Covid dhe një person humbi jetën si pasojë e infektimit.

Përhapja e shpejtë e variantit “Omicron” ka rritur edhe numrin e të hospitalizuarve në klinikën Infektive të QKUK-së.

“Në klinikën infektive momentalisht i kemi të hospitalizuar 37 pacientë, para katër ditësh i kemi pasë 11 pacientë. 26 pacientë për këto ditët e fundit janë hospitalizuar. Nga këta pacientë shumica janë të pa vaksinuar”, thotë drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

Numri total i rasteve aktive në Kosovë shënon 12.396, ku prej tyre 1913 janë nxënës. Kjo ka shtyrë disa shkolla të kalojnë në mësim online.

“Nga 781 shkolla sa janë në Kosovë, 15 punojnë me skenarin ‘online’, ndërsa dy punojnë me skenarin A. Pra, me prezencë fizike por me gjysmën e nxënësve në klasa”, thotë zëvendës ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Për parandalim të përhapjes së virusit, Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që të kufizohet lëvizja nga ora 22:00 deri në 5 të mëngjesit, gastronomia të punojë deri në orën 21 dhe për hyrje në Kosovë qytetarët të kenë tri doza të vaksinës ose dy doza dhe testin PCR. Me vendim të Qeverisë, masat hyjnë në fuqi të shtunën.