Nis Samiti i Berlinit, Merkel: “Çdo gjë mund ta bëjmë bashkë”

529
Sigal

TIRANË – Çelet Samiti për Ballkanin Perëndimor në Berlin nën drejtimin e kancelares gjermane Angela Merkel. Samiti zhvillohet në sallën e mbledhjeve të qeverisë gjermane me dyer të mbyllura, ndërsa të pranishëm janë kryeministrat e Ballkanit perëndimor si dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso. Gjithashtu i pranishëm në këtë samit është edhe Kryeministri austriak Michael Spindelegger. Në fjalën e saj hapëse, kancelaria Merkel, teksa falënderoi pjesëmarrësit për pranimin e ftesës, theksoi se “nevojitet një intensifikim i marrëdhënieve mes vendeve tona”. Në këtë kuadër Merkel shtoi se “ka shumë gjëra që mund të bëhen bashkarisht”. Po ashtu kancelaria gjermane, nënvizoi se Ballkani është në paqe, duke shtuar se ky samit vjen në një kohë të shënuar pasi është 100 vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore si dhe 75 vjetori i mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu Merkel në fjalën e saj tha se ky takim ka edhe një domethënie tjetër, pasi është edhe 25 vjetori i rënies së Murit të Berlinit. Siç raporton gazetarja e A1 Report e cila ndodhet në Berlin, Joniada Koçi, faza e dytë e diskutimeve gjatë këtij samiti ka të bëjë me bashkëpunimin ekonomik. Siç raporton gazetarja Koçi, vendet e rajonit e kanë shumë të vështirë të arrijnë procesin e integrimit evropian pa përkrahjen ekonomike të BE-së. Pas zhvillimit të Samitit të Berlinit, në orën 17:30, do të mbahet edhe një konferencë për shtyp përpara gazetarëve, ku pritet të flasin kancelaria gjermane Angela Merkel si dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili do të flasë në emër të Ballkanit. 

Merkel: Qytetarët tuaj janë mërzitur nga korrupsioni!
Ndërkohë kancelaria gjermane Merkel foli më herët lidhur me problemet me të cilat përballen shtetet e rajonit. Merkel theksoi se qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Sipas Merkel keqmenaxhimi, krimi i organizuar dhe ekonomia informale është një problem i vazhdueshëm në të gjitha vendet e rajonit. Në këtë mënyrë, Merkel nënvizoi se çdo vend duhet të krijojë premisat për integrim, pasi çdo vend e ka mundësinë e integrimit evropian. “Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Keqmenaxhimi, krimi i organizuar dhe ekonomia informale është në të gjitha vendet një problem i vazhdueshëm, po ashtu edhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve. Prandaj çdo vend, duhet të krijojë premisat për pranimin në Bashkimin Evropian në sektorët e sundimit të ligjit dhe punën efikase të administratës. Harkun kohor vendet mund ta influencojnë vetë përmes reformave vendimtare strukturore. Një gjë është e qartë: “Të gjithë kanë shansin për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian.” theksoi Merkel. Merkel u shpreh se është e rëndësishme që vendeve të rajonit  t’u përcillet mesazhi, që ata “të mos i perceptojnë kriteret e pranimit në BE si barrierë, apo pengesë, por si nxitje për të punuar me të vërtetë me sukses për qytetarët e tyre.” Në këtë mënyrë, kancelaria gjermane ka përsëritur kërkesat e samitit të Dubrovnikut, i cili y mbajt në korrik. Aty kryetarja e qeverisë gjermane u premtoi vendeve të Ballkanit mbështetjen e saj për t’u pranuar në BE, por kërkoi edhe reforma në sistemin juridik dhe administrativ.