Nga Gjermania deri te Greqia: Masat lehtësuese që kanë nisur deri tani shtetet europiane

318
Sigal

Shumica e vendeve europiane kanë nisur të hartojnë plane për të lehtësuar masat kufizuese, me të cilat po luftojnë përhapjen e COVIDV-19.

Synimi është të rihapen ekonomitë që u dëmtuan shumë shpejt nga izolimi, si dhe t’u jepet shpresë njerëzve që situata do të përmirësohet.

Shumica e vendeve i kanë nisur masat, përveç Mbretërisë së Bashkuar, e cila vazhdon të ketë shifra të larta, tani vendi i dytë në botë për numër vdekjesh, pas SHBA-ve dhe pothuajse në të njëjtin nivel me Italinë.

Ditën e djeshme në Britani u regjistruan më shumë se 600 të vdekur, ndërkohë që Italia ka nisur të shohë çdo ditë rënie.

Por çfarë masash kanë marrë vendet?

Andora, vendi i vogël midis Spanjës e Francës, ka përshtatur një metodë tepër të veçantë. Ata që jetojnë në shtëpi me numra çift do të dalin në datat me numra çift, ata me numra tek në datat me numra tek.

Austria i nisi lehtësimet më 1 maj, por distancimi social vazhdon të qëndrojë në fuqi. Restorantet priten të hapen më 15 maj, të ndjekura nga hotelet më 29 maj. Një pjesë e mirë e dyqaneve në Austri janë hapur që për Pashkë.

Belgjika ka një numër të lartë vdekjesh, dhe që nga data 4 maj do të nisë të hapë disa nga bizneset e domosdoshme me faza të ndryshme. Baret e restorantet do të hapen më 8 qershor, ndërsa  festivalet janë ndaluar deri në shtator.

Çekia i nisi lehtësimet më 24 prill, duke lejuar udhëtimet brenda për brenda vendit. Më 27 prill u lejuan udhëtimet në vendet e tjera të BE-së, për arsye pune, duke ndjekur masa të rrepta sigurie. Janë lejuar dhe disa dyqane e biznese, përfshi Skoda-n, që ka vazhduar prodhimin e makinave.

Danimarka e nisi rikthimin që për Pashkë, duke lejuar hajen e kopshteve dhe të shkollave fillore. Disa biznese u lejuan të hapen më 20 prill, me kusht që të ndjekin udhëzimet higjienike. Më 10 maj pritet faza e dytë.

Franca do të nisë të zbutë masat e kufizimeve që nga data 11 maj, me faza që do të vazhdojnë deri më 2 qershor. Por vendimet mund të merren edhe më herët ose edhe më vonë, në varësi të rezultateve, si dhe sipas infektimit në zona të caktuara gjeografike.

Gjermania e ka mbajtur virusin nën kontroll më mirë se fqinjët. Fazat e para të rihapjes nisën më 20 prill. Dyqanet e vogla janë lejuar të rihapen duke respektuar distancimin social. Shkollat priten të hapen në 4 maj, me studentët e rritur. Megjithatë, pas lehtësimeve pati një rritje të rasteve, gjë që ka ngjallur pak shqetësim.

Greqia ka arritur ta mbajë të ulët numrin e të infektuarve, dhe kryeministri ka prezantuar një plan me faza për rihapjen. Libraritë, parukieritë dhe dyqanet elektronike do të hapen më 4 maj, hotelet e restorantet më 1 qershor. Plazhet dhe këndet e lojërave do të mbahen të mbyllura dhe udhëtimi lejohet vetëm në nivel rajonal. Gjimnazet do të hapen më 11 maj, dhe një javë më vonë do të ndiqen nga shkollat fillore.

Hungaria pritet t’i lehtësojë masat kufizuese gradualisht, sidomos në zonat rurale ku ka më pak infektime. Por Budapesti dhe rrethinat do të vazhdojnë t’i ndjekin masat kufizuese për më gjatë.

Në Irlandë, kryeministri ka thënë se shifrat e të infektuarve nuk e justifikojnë rihapjen që tani. Megjithatë, strategjia do të njoftohet gjatë fundjavës. Irlanda i ka vendosur masat kufizuese deri më 5 maj.

Italia e paraqiti planin e rihapjes më 26 prill, dhe vazhdon të ketë ulje të numrit të të infektuarve. Fabrikat, kantieret e ndërtimit dhe bizneset e shumicës do të rihapen nëse zbatojnë masat e higjienës. Parqet publike e lulishtet do të hapen më 4 maj dhe njerëzit do të lejohen të takojnë të afërmit e rajoneve përkatëse. Nëse gjërat shkojnë mirë, më 18 maj do të hapen dyqanet e biznesit të vogël dhe më 1 qershor edhe baret e restorantet.

Lituania e ka shtyrë izolimin deri më 11 maj, megjithatë, muzetë, bibliotekat dhe kafenetë me veranda të hapura, parukieritë e dyqanet e qendrave tregtare janë lejuar të hapen që tani.

Holanda ka qenë e para që ka ndërmarrë hapa lehtësues, duke lejuar edhe nxënësit të kthehen në shkolla me orar të shkurtuar si dhe të marrin pjesë në veprimtari sportive.  Por festivalet muzikore dhe ndeshjet e futbollit nuk do të lejohen deri më 1 shtator. Restorantet do të qëndrojnë mbyllur deri më 20 maj. Në Holandë, edhe pse baret e restorantet u mbyllën, njerëzit u lejuan të qarkullojnë, por u udhëzuan të ndjekin distancimin social.

Polonia do të hapë qendrat tregtare dhe hotelet që nga data katër maj, ndërsa kopshtet e shkollat pas dy ditësh. Partia në pushtet kërkon të vazhdojë zgjedhjet brenda muajit maj, pavarësisht thirrjeve për t’i shtyrë.

Portugalia ka vënë në lëvizje ushtrinë për të dezinfektuar shkollat, pasi nxënësit mund të kthehen në maj. Ushtria, forcat ajrore de ato detare po trajnojnë stafin e shkollave se si ta bëjnë pastrimin më mirë.

Spanja është një nga vendet më të prekura në botë, megjithatë ka parë ulje të numrit të të infektuarve. Qeveria ka shpallur një plan me katër faza që do të nisë me hapjen e dyqaneve më 4 maj, si dhe hotelet do të lejohen të punojnë me kapacitet të pjesshëm.

Suedia ka mbrojtur qëndrimin për të mos u izoluar si Franca e Italia. Qeveria i ka udhëzuar punonjësit të punojnë nga shtëpia kur të munden e të shmangin vendet e populluara. Por në vend që të vendosin gjoba ndaj atyre që nuk respektojnë distancimin social, qeveria thjesht u ka bërë thirrje të jenë të përgjegjshëm. Njerëzit vazhdojnë të shkojnë lirshëm në shkolla, bare e restorante, por nuk lejohen udhëtimet ndërkombëtare.

Zvicra do të hapë dyqanet, shkollat e restorantet më 11 maj, si pjesë e një procesi me faza që ka nisur që më 27 prill.

Mbretëria e Bashkuar do ta dëgjojë planin e lehtësimeve nga kryeministri i tyre në fillim të majit, por tani për tani kanë numrin më të lartë të vdekjeve dhe ende nuk dihet me saktësi se kur mund të fillojë rikthimi. Shumica e dyqaneve e vendeve publike vazhdojnë të jenë të mbyllura e njerëzit lejohen të dalin vetëm për arsye të domosdoshme.