Në Izrael ka ndodhur mrekullia/ Pandemia atje është harruar, ndërkohë që Europa vijon të zvarritet

189
Sigal

Restorantet, plot. Kafenetë gjithashtu. Dyqanet të mbushura me njerëz. Në rrugë: njerëz që përqafohen, puthen dhe qeshin pakufij. Skena e përshkruar në të përjavshmen gjermane Zeit duket si një ëndërr, ose si ngjarje e jetës së mëparshme. Por jo, në fakt bëhet fjalë për Tel Aviv, në Izrael, falë fushatës së vaksinimit.

Vetëm maskat, të cilat izraelitët ende duhet t’i mbajnë në rrugë, janë një kujtesë se jo gjithçka është si më parë, edhe pse shumë i mbajnë nën mjekër. Por kjo nuk shqetëson askënd atje, askush nuk ka frikë më. Sepse pak më shumë se 60 përqind e nëntë milion izraelitëve kanë marrë dozën e tyre të parë dhe 50 përqind i kanë bërë të dyja.

Shkalla e infeksionit, e ashtuquajtura vlera Rt, në fillim të kësaj jave ishte vetëm 0.62, krahasuar me 1.12 në Gjermani. Në 24 orët midis të Dielës dhe të Hënës kishte vetëm 354 infeksione të reja në Izrael dhe ka vetëm 548 njerëz në vend ende të sëmurë rëndë. Një javë më parë, spitali Ichilov i Tel Avivit festoi mbylljen e njësisë së tij të fundit të kujdesit intensiv për Covid. Jeta e vjetër është kthyer.

Shumë e kanë quajtur atë “një mrekulli”. Një nga faktorët që lejoi një vaksinim kaq të shpejtë është ekzistenca e një organizate të centralizuar të aftë për të mobilizuar popullsinë (ndryshe nga çfarë ndodh në shumë vende të Europës).

Takimet mund të rezervohen lehtësisht përmes aplikacionit ose në internet: “duhen më pak se dy minuta”. Ka takime çdo 4 minuta dhe kur vaksinuesi është përpara pacientit ai tashmë ka lexuar të gjitha të dhënat e tij përfshirë rreziqet e kundërindikacioneve në kompjuterin e tij.

Shumë të moshuar që arrijnë në stacionin e vaksinimit të shoqëruar vaksinohen së bashku me kujdestarët e tyre të rinj Filipinas, edhe nëse nuk është akoma radha e tyre. Pjesa më e vështirë e fushatës së vaksinimit ishte kapërcimi i kundërshtimit të hebrenjve ultra-ortodoksë që e shihnin epideminë si një “dhuratë” nga Zoti, e cila si e tillë nuk mund të refuzohej.