Ndërmarrja metalurgjike “Trepça” regjistrohet si shoqëri aksionare

458
Sigal

 

 

Kombinati metalurgjik “Trepça” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare (ARBK) si Shoqëri Aksionare, duke i kaluar zyrtarisht shtetit të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, i cili u shpreh se tashmë zyrtarisht punëtorët e “Trepçës” janë bërë pronarë të kësaj ndërmarrje. “Ministri Endrit Shala sapo ma dorëzoj certifikatën e biznesit të Trepça sh.a., ku së bashku me Kryetarin e bordit të Trepçës, Ardian Syla, kishim nderin dhe kënaqësinë ta pranojmë. Kemi shumë punë për të bërë, por ky hap historik definitivisht do të lehtësoj çdo proces tash e tutje dhe për këtë ndjehem i lumtur. Dua të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë proces, përfshirë të gjithë anëtarët e bordit të Trepçës, menaxhmentin, sindikatën, kolegët në qeveri dhe veçanërisht deputetët e parlamentit të Kosovës.”- u shpreh në reagimin e tij ministri Lluka. Reagim ka pasur dhe nga Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, i cili e ka cilësuar këtë ngjarje si lajm të madh dhe i ka uruar punë të mbarë dhe fat minatorëve të Trepçës. Regjistrimi i “Trepçës” si shoqëri aksionere, pason miratimin nga Kuvendi i Kosovës javë më parë të statutit të “Trepçës”. 80 për qind e aksioneve do të jenë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind do t’u përkasin punonjësve të “Trepçës”. Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.