Meta në Danimarkë: Shprehu dëshirën e Shqipërisë për përfshirjen e Kosovës në takimet e organizuara nga Asambleja Parlamentare e

432
Sigal

Kryetari i Kuvendit vijoi vizitën e tij zyrtare në Danimarkë me takime të veçanta me Sekretarin e Përgjithshëm te Asamblesë Parlamentare të OSBE, Avokatin e Popullit të Danimarkës, dhe zhvilloi bisedime me përfaqësues të Konfederatës së Industrisë Daneze dhe të Agjencisë Daneze të Energjisë.

 Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE me Seli në Kopenhagen z. Spencer Oliver, z. Meta vlerësoi punën e OSBE në Shqipëri dhe në rajon, duke theksuar kontributin e veçantë të Organizatës në Kosovë. Në këtë kuadër z. Meta shprehu dëshirën e Shqipërisë për përfshirjen e Kosovës në takimet e organizuara nga Asambleja Parlamentare e OSBE, i cili do të ishte një gjest kontribuues për forcimin e stabilitetit në rajon. Sekretari i Përgjithshëm,  z. Spencer Oliver bëri një vlerësim të veçantë për rolin e rëndësishëm konstruktiv që Shqipëria luan në rajon dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin mes Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në takimin me Avokatin e Popullit të Danimarkës z. Jørgen Steen Sørensen, Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e rëndësishme që Danimarka i ka dhëne institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, i cili është krijuar sipas modelit danez dhe që është tërësisht i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në Shqipëri, si dhe në fuqizimin e standardeve më të larta të demokracisë në vend.

 Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u takua gjithashtu edhe me përfaqësues të Konfederatës së Industrisë Daneze dhe të Agjencisë Daneze të Energjisë, me të cilët zhvilloi bisedime lidhur me forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Danimarkës, veçanerisht në fushat e Energjisë, Bujqësisë, Agro-Përpunimit dhe Turizmit. Në këtë drejtim, z. Meta shprehu vullnetin e Shqipërisë për të mirëpritur komunitetin e investitorëve Danezë, për të cilët vendi ynë ofron potenciale të shumta.

  Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Mbretëresha e Danimarkës.

 Kryetari i Parlamentit dhe delegacioni që e shoqëron vijuan sot vizitën zyrtare në Danimarkë me një pritje të veçantë në Pallatin Mbretëror nga Madhëria e Saj Mbretëresha Margarethe II e Danimarkës. Kryetari i Kuvendit, z. Meta e falënderoi Mbretëreshën për pritjen e ngrohtë dhe shprehu vlerësimin e popullit shqiptar për nivelin e lartë të ekselencës dhe të zhvillimit qytetar e demokratik të Danimarkës, duke theksuar se Danimarka përfaqëson një vend të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Z. Meta e falënderoi Mbretëreshën për kontributin e Danimarkës në forcimin e kapaciteteve demokratike dhe institucionale të Kosovës, si një benefit për të gjithë rajonin e Ballkanit, duke bërë një vlerësim të veçantë gjithashtu për angazhimin e vazhdueshëm të Monarkisë Daneze në funksion të zhvillimit të lirive demokratike dhe standardeve të të drejtave të njeriut. Mbreteresha e Danimarkës shprehu interesin për zhvillimet në Shqipëri dhe vuri në dukje simpatinë e saj për traditën dhe historinë e popullit shqiptar, duke e falënderuar njëkohësisht Kryetarin e Kuvendit z. Meta dhe deputetët e delegacionit shqiptar për këtë vizitë në Danimarkë.