Masat antiterror në Gjermani, kontroll edhe telefonave

498
Sigal

Refugjatët që janë të strehuar në Gjermani, do t’u nënshtrohen një skanimi të vazhdueshëm të të dhënave nga policia , që arrin deri në kontrollin e aparateve celularë apo edhe rrjeteve të tyre sociale. Si pjesë e masave të reja antiterror, ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere njoftoi se policia kufitare duhet të marrë në dorëzim telefonat e tyre për kontrolle sigurie.

“Nëse ju doni të pranoheni në Gjermani do të na tregoni edhe kontaktet tuaja telefonike”, tha ministri i Brendshëm. Masa vjen në një kohë kur është rritur numri i falsifikimit të pasaportave apo mjeteve të tjera të identifikimit të refugjatëve, alarm ky i dhënë nga Europol. Nga ana tjetër, telefonat janë mjete shumë të vlefshme që i lejojnë të qëndrojnë në kontakt me miqtë dhe të afërmit, e po ashtu në të njëjtën kohë i hapin rrugë policisë të mbledhë informacione potencialisht të rëndësishme.

Kjo është një praktikë e njohur për autoritetet në Danimarkë, Norvegji, Suedi dhe Holandë, të cilat në mënyrë rutinore shqyrtojnë telefonat celularë për të verifikuar identitetin e refugjatëve. Ligjet e tyre të emigracionit autorizojnë zyrtarët për konfiskimin e përkohshëm të telefonave, por në të njëjtën kohë konfiskohen edhe sendet me vlerë të refugjatëve që në shkëmbim marrin akomodim.