Maqedonia mer masa të reja për refugjatët, pas sulmeve terroriste në Paris

380
Këto masa u morën pas sulmeve terroriste në Paris dhe njoftimeve se së paku 2 nga sulmuesit kanë kaluar nëpër Maqedoni në rrugëtimin e tyre në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Maqedonisë vendosja e telave me gjemba nuk nënkupton mbyllje të kufirit, por vetëm kontroll më të rreptë dhe përcaktimin e vijës për lëvizjen e refugjatëve drejt destinacionit të rradhës, që është kufiri me Serbinë.

Do të lejohet kalimi i vetëm 3000 refugjatëve në ditë
Numri i refugjatëve që kalojnë nëpërmjet të ashtuquajturës itinerari ballkanik, që kalon nëpër territorin e Maqedonisë është i kufizuar dhe nuk duhet të tejkalojë më shumë se tre mijë refugjatë në ditë, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov. Zbatimi i masave të reja që nënkupton kufizimin e numrit të kalimit në ditë të refugjatëve do të jetë shumë i vështirë nëse Greqia nuk e ul numrin e refugjatëve, të cilët nisen në Maqedoni, shprehet Çavkov. “ Reduktimi i numrit të refugjatëve për të kaluar nëpër Maqedoni deri në 3 mijë në ditë është vështirë të kontrollohet, sepse në kufirin jugor të vendit vijnë rreth 7.000 deri në 9.000 refugjatë. Kjo situatë do të jetë shumë e vështirë të menaxhohet vetëm nga pala maqedonase, duhet angazhim më i madh i autoriteteve greke”, thotë Çavkov.

Seleksionim i refugjatëve
Në kufirin verior të Maqedonisë, Tabanoc, situata me refugjatët është tensionuar pas vendimit që ka marrë Serbia për të mos lejuar kalimin e refugjatëve që nuk vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Ata janë emigranë nga vendet afrikane dhe aziatike, të cilëve për momentin u ndalohet rrugëtimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ata janë të shqetësuar dhe kërkojnë ndihmë nga organizatat ndërkombëtare. “Unë jam nga Bangladeshi, nuk e di ku qëndron problemi, por është fakt se ne nuk na lejojnë të hyjmë në Serbi. Këtu jam gati tri ditë, kemi fjetur nën qiell të hapur, është shumë ftohtë”, thotë emigranti.

“Kam mbetur në zonën neutrale midis Maqedonisë dhe Serbisë, nuk më lejohet të udhëtoj më tej, unë me familjen jam nga Egjipti. Nuk po i kuptoj shkaqet dhe ndarjen e refugjatëve se kush mund dhe kush jo të udhëtojë drejt Evropës”, thotë kryefamiljari egjiptian, të cilin e shoqëron bashkëshortja dhe tre fëmijë.
“ Unë jam këtu sepse kërkoj liri, sepse jam njeri dhe besoj në humanizëm. Udhëheqësit në vendin tonë na futën në burgje. Ne kërkojmë vetëm liri dhe drejtësi. S’kemi asgjë të përbashkët me ata persona që ushtrojnë dhunë apo i vlerësojnë si terroristë”, thotë një refugjat tjetër nga Irani.

Përfaqësuesi i UNHCR-së në Maqedoni Mohamed Arif ka konfirmuar se qindra refugjatë janë bllokuar në zonën kufitare. “Policia serbe nuk lejon hyrjen e refugjatëve nga vendet e tjera përveç atyre nga Iraku, Siria dhe Afganisatni. Ka shumë familje të bllokuara në zonën kufitare, shumica nga ata janë gra dhe fëmijë”, thotë Mohamed Arif, përfaqësues i UNHCR-së në Maqedoni.
Sigal